TIRANË-389 të rinj e të reja i bashkohen Policisë së Shetit! Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita së bashku me Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari ishin të pranishëm gjatë certifikimit të 389 kursantëve që përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë. Hita në fjalën e tij kërkoi nga të rinjtë të fokusohen në tre drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit njëherazi Dëshmorë të Atdheut.
Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi para të rinjve se nuk duhet të tundohen nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, pasi ka pasoja të rënda.
Skënder Hita: Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime. Në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije ndoshta dhe në errësirë.
Ju jeni të parët që do të merrni kontakt me qytetarët në çdo cep të vendit ku do të shërbeni, jeni në terren 24/7, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë dhe për t’ju dhënë ndihmë qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve nga e mbarë bota. Shërbejuni qytetarëve me përulësi ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit. Reagoni me guxim, korrektësi e paanshmëri dhe brenda kornizës ligjore përballë çdo padrejtësie e paligjshmërie.
Vrulli rinor që ju keni t’ju shërbejë për të mirën e përgjithshme, për përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit dhe në funksion të ligjit. Dhe mos harroni se arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj. Përballë çdo situate qofshi, kurrë mos u tregoni arrogantë me qytetarët që duan dhe zbatojnë ligjin. Detyra jonë është t’i dëgjojmë, të zbatojmë procedurat e punës dhe t’i japim qytetarit përgjigjen që na kërkon ligji, dhe jo të krijojmë në sytë e tij bindjen se jemi të njëanshëm, arrogantë apo të pazotë.
Kurrë mos ia bëni këtë të keqe Policisë së Shtetit, e cila pa besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, nuk e përmbush dot si duhet misionin e saj. Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim. Mos shkëmbeni kurrë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin, dhe të ardhmen tuaj me një përfitim të momentit. Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju.