TIRANË-Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në ambjentet e burgut të Peqinit dhe Fierit, ku në dhomat e të burgosurve janë gjetur telefona. Në njoftimin zyrat bëhet e ditur se në burgun e Peqinit gjatë kontrollit në sendet personale të të burgosurit F. Ç. u konstatua një aparat celular.
Lidhur me rastin i burgosuri është arrestuar, ndërsa një hetim ka nisur për 4 të dënuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Po ashtu dy punonjës policie në IEVP Peqin, po hetohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Edhe në Fier, gjatë kontrollit ne ambjentet e dhomës së të burgosurit R. K është konstatuar një aparat celular.
NJOFTIMI:
Në vijim të kontrolleve të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ne bashkëpunim me DPB, janë ushtruar kontrolle në disa IEVP, ku janë konstatuar konkretisht:
1-Në IEVP Peqin
Gjatë kontrollit në sendet personale të të burgosurit F. Ç. u konstatua një aparat celular.
Në përfundim të kryerjes së veprimeve të para procedurale nga AMSEVP është kryer arrestimi në flagrancë i të burgosurit F. Ç. për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale”, e parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë:
-Shtetasit e burgosur M. H., L. Gj., I. L. dhe F. A. për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
-Shtetasit Sh. K. dhe E. J. me detyrë punonjës policie në IEVP Peqin, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
2-Në IEVP Fier
Gjatë kontrollit ne ambjentet e dhomës së të burgosurit R. K është konstatuar një aparat celular.
Në përfundim të kryerjes së veprimeve të para procedurale nga AMSEVP janë proceduar në gjendje të lirë:
-Shtetasi i burgosur R. K. për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale”, e parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
-Shtetasi i burgosur E. B. për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Materialet procedurale do dërgohen për veprime të mëtejshme përkatësisht në Prokuroritë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Fier.