TIRANË- Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka reaguar duke mohuar pretendimet që qarkullojnë në mediat lidhur me aktet korruptive dhe abuzimin me fondet në këtë intistucion. Në një reagim zyrtar për mediat, AZHBR ka rrëzuar akuzat në fjalë, teksa bën me dije se për këtë, i është drejtuar organeve kompetente, me qëllim që çdo pretendim të trajtohet në mënyrë ligjore dhe çdo abuzues të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Gjithashtu, AZHBR thekson se mbetet i hapur për çdo qytetar dhe siguron do të vazhdojë të veprojë me transparencë, integritet dhe profesionalizëm.
Njoftimi i plotë për mediat:
Në respekt të transparencës me publikun, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën me dije se prej kohësh është bërë objekt i një fushate të koordinuar lajmesh të rreme, të fabrikuara me qëllim dëmtimin e imazhit dhe punës së institucionit.
Përballë kësaj situate të përsëritur, AZHBR i është drejtuar zyrtarisht organeve kompetente, me qëllim që çdo rast shpifjeje apo keqinformimi të trajtohet në mënyrë ligjore dhe çdo abuzues të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.
Institucioni mbetet plotësisht i hapur dhe i gatshëm për çdo qytetar, profesionist të fushës apo përfaqësues të medias që ka kërkuar, kërkon dhe do të kërkojë informacion mbi aktivitetin dhe programet tona. AZHBR do të vazhdojë të veprojë me transparencë, integritet dhe profesionalizëm, duke e çuar përpara misionin e saj në shërbim të komunitetit bujqësor dhe zhvillimit rural të vendit.
AZHBR është përballur me akuza për korrupsion që ka të bëjë kryesisht me menaxhimin e fondeve dhe mungesën e transparencës, pikërisht, në administrimin e tyre. Gjithashtu, bëhet fjalë edhe për akuza sa i përket keqpërdorimit të fondeve nga ana e zyrtarëve të agjencisë, të cilët mund të kenë përfituar nga pozitat e tyre për të marrë rryshfete ose për të favorizuar individë dhe biznese të caktuara./ZËRI
