Aktualitet

Akuzohet se mori pjesë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës, arrestohet në Londër Korado Kështenja! 35-vjeçari do të ekstradohet në Shqipëri

Ai ndodhet në paraburgim në Londër, ndërsa seanca e radhës për ekstradimin do të mbahet më 2 shtator në orën 10:00.

l.k
Akuzohet se mori pjesë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani
Korado Kështenja, Jani Prenga & pamje nga rrëmbimi në Kamëz

ANGLI- Është arrestuar në Londër Korado Kështenja, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme pasi dyshohet se është përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës.

Interpol Tirana dhe BKH në bashkëpunim me skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve në NCA, arritën të vendosin në pranga 35-vjeçarin me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Ai ndodhet në paraburgim në Londër, ndërsa seanca e radhës për ekstradimin do të mbahet më 2 shtator në orën 10:00.

Kështenja rezulton se banonte në Angli, në zonën St Leonards On Sea. Bëhet me dije se ai përdorte dy identitete; mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.

Ai kërkohet me urdhër-arrest të SPAK, të miratuar nga GJKKO, për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A. Sipas dosjes hetimore të SPAK, 35-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në vëzhgimin dhe rrëmbimin e Jani Prengës, më 17 janar 2020.

Jak (Jani) Prenga, historia Angli-Durrës

Jani Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar 6 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende. Ndërkohë SPAK ka akuzuar zyrtarisht Dritan (Gramoz) Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.

Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Gramoz (Dritan) Rexhepi, së bashku me Gentjan Funiqin, Martin Bletën dhe Korado Keshtejën, u akuzuan për rrëmbim apo mbajtje peng të personit.

Gramos (Dritan) Rexhepi kishte pasur konflikt me një nga vëllezërit e Jan Prengës për humbjen e një sasie kokaine në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për rreth 260 kilogramë kokainë, për zhdukjen e të cilës bosi i kartelit “Bello” kishte vënë gishtin te Astrit Prenga. Rexhepi kishte kërkuar që sasia e drogës t'i kthehej mbrapsht, dhe për këtë kishte nisur negociatat me vëllain tjetër të familjes Ndrekë Prenga. Ky i fundit kishte arritur që të kthente një sasi prej 106 kilogramë drogë dhe 700 mijë euro disa shtetasve polakë që vepronin për llogari të Rexhepit.

Megjithëse i kishte dhënë fjalën Ndrekë Prengës, Rexhepi nuk iu kishte treguar atyre të vërtetën se i vëllai i tyre Jani kishte vdekur që në momentin e parë të rrëmbimit, pas dhunimit në makinë. Kur mësuan vdekjen e vëllait, Astrit dhe Ndrekë Prenga i kërkuan llogari Rexhepit, se pse marrëveshja që ata kishin bërë për lirimin kishte dështuar.

Rexhepi iu ka thënë vëllezërve të Jan Prengës, se autorët e rrëmbimit e kishin prerë në besë. Sipas përgjimeve, Rexhepi i ka thënë Ndrek Prengës emrat e pengmarrësve të të vellait, meqë nuk mundi ta mbante fjalen e dhënë per lirimin e tij.

Bëhet fjalë për fisin Hajri që vepron në zonën e Shijakut, si dhe Gentian Doçin, i cili u arrestua në Spanjë./ZËRI

Poll

MOS HUMB