DURRËS- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit, në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit, nga ambientet e spitalit infektiv, ku ishte dërguar për kontroll mjekësor. Prokuroria do të marrë në hetim të gjithë personat që e kanë vizituar Ndocin gjatë kohës kur ka qenë në qeli, për të kuptuar nëse dikush prej tyre e ka ndihmuar në planin e arratisjes. Ndërkohë që makina tip Audi që largoi Ndocin nga vendi i ngjarjes është parë për herë të fundit në autostradën Tiranë-Durrës, dhe prej andej ka humbur çdo gjurmë. Gjatë ditës së sotme, kontrollet e policisë janë zhvendosur në zonën e Pukës, ku po kalojnë në sitë dhjetra banesa. Ndërkohë që ditën e djeshme kontrollet u përqëndruan kryesisht në Tiranë, ndërsa familjarët e tij pretendojnë se nuk kanë pasur asnjë dijeni për planin e arratisjes.
Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI