Aktualitet

Balluku pa post! Rama kërkon të shfyqizohet vendimi i GJKKO, Kushtetuesja nuk del me vendim

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet javën e ardhshme

F.I
Balluku pa post! Rama kërkon të shfyqizohet vendimi i GJKKO,
Belinda Balluku

TIRANË-Gjykata Kushtetuese u mbledh sot në seancë paraprake për ankimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Në seancën e sotme pritej të vendosej nëse ankimi i qeverisë do të kalojë ose jo në seancë plenare. Po ashtu një vendim pritej edhe për kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të GJKKO-së deri në shqyrtimin e kërkesës. Por mësohet se Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar kërkesën e qeverisë.

“Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025”, tha GJK ne njoftim zyrtar.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Në këto kushte vetë kryeministri Edi Rama deklaroi se pezullimi i Ballukut do të çohet në Kushtetuese, dhe menjëherë pas kësaj deklarate, qeveria iu drejtua Gjykatës.

Në shkresë kryeministria argumenton se është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar. Qeveria kërkon nga Kushtetuesja të shfuqizohet vendimi i GJKKO, duke lënë të hapur mundësinë e një rivlerësimi të masave ndaj Ballukut. 

Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj, kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. 

Është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë për 'fatin' e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë./ZËRI

Poll

MOS HUMB