TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me përplasjen mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë pas bojkotit të avokatëve. Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta e cilëson një konflikt 'absurd', që sipas tij, situata ishte e paralajmëruar dhe duhet të ishte ndaluar.
Meta shprehet se kjo situatë ka shkaktuar humbje financiare dhe zvarritje të proceseve, ndërsa vendosja e avokatëve nën presion cenon, të drejtën e mbrojtjes dhe procesin e rregullt ligjor. Në përfundim, Meta thotë se ky është një konflikt i 'stisur' që minon besimin publik te drejtësia.
Postimi i Plotë:
Konflikti absurd midis GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka sjellë anullimin dhe shtyrjen e gjykimit për dhjetëra çështje vetëm pranë GJKKO të Shkallës së Parë. Kjo situatë absurde e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë si përmes dialogut, por edhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.
Përveç humbjeve të konsiderueshme financiare të shtetit dhe palëve të interesuara, ka sjellë edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore, që është element i gjykimit të drejtë dhe të rregullt. Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cënon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale.
Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm. Edhe në diktaturë ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, por demokracia dhe shteti i së drejtës, dallon ndër të tjera nga diktatura se siguron të drejtën e mbrojtjes me avokat. Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojrave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.
Seanca e fundit gjyqësore për dosjen e Metës u shty pikërisht për shkak të bojkotit të avokatëve.
Që prej datës 9 shtator nisën të bojkotonin seancat gjyqësore dhe për gati një muaj në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është zhvilluar asnjë gjyq. Ndërsa me shumicë votashn, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë, 23 shtator, u votua vijimi i bojkotit.
Më 21 shtator, GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë të rinj. Masa administrative erdhi në një kohë kur GJKKO ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet.
Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore.
Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI