
TIRANË-Seanca në Gjykatën e Posaçme për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goron dhe të pandehurit e tjerë, në lidhje me çështjen e tjetërsimit të një sipërfaqe toke në fshatin Gjilekë është shtyrë. Toka në fjalë i ishte falur Artan Gaçit, bashkëshortit të Olta Xhaçkës, për të ndërtuar resort si investitor strategjik. Gjykata shtyu seancën në datën 12 mars ora 11.00 dhe pezulloi afatet e paraburgimit për Jorgo Goron si dhe afatin e masës “arrest në shtëpi” për Vezir Gjikokën.
GJKKO dënoi me gjobë mbrojtësit ligjorë të Vezir Gjikoka me shumën 10 mijë lekë, për shkakun se kur gjykata ka caktuar datën e sotme gjyqësore mbrojtësi ka shprehur dakordësinë e tij dhe nuk ka referuar që të ketë seanca gjyqësore të tjera dhe ta bentë të pamundur paraqitjen e tij në këtë seancë.
Ndërkohë Gjyqtari Ardit Mustafaj caktoi avokat kryesisht për Jerasimo Bashin, duke qenë se mbrojtësi i tij nuk u paraqit. Me vendim u caktua avokati Artan Simoni, anëtar i dhomës së Avokatisë Tiranë. Për Vezir Gjikokajn u caktua avokate kryesisht Pranvera Doçi, anëtare e dhomës së avokatisë Tiranë.
Referuar dosjes së SPAK, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë shpërdoruar detyrën dy herë, lidhur me tjetërsimin e pronave, sikundër ka fshehur pasuritë e tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi. Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall.
Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht, Goro dhe Bashi janë në "arrest me burg"; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim./ZËRI