TIRANË- Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se ende nuk është bërë bilanci përfundimtar i zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë. Në një prononcim për mediat nga vendngjarja, tha se forcat e FNSH dhe RENEA janë vënë menjëherë në dispozicion për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe hapjen e dyerve të apartamenteve ku qytetarët nuk kishin mundësi të dilnin.
“Tani ende nuk kemi bërë bilancin përfundimtar. Janë paraqitur punonjës të shërbimit zjarrfikës, kanë djegie të vogla, janë angazhuar të gjitha forcat dhe kemi bërë menaxhimin dhe koordinimin me forcat e tjera. Ende nuk janë kontrolluar të gjitha banesat,” u shpreh Hita nga vendngjarja.
Ai theksoi se është ende herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa shtoi se do të kryhen të gjitha veprimet hetimore, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë./ZËRI