TIRANË-Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën paraprake për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ku do të vendosje nëse do të kalojë ose jo për gjykim. Në këtë dosje përveç Veliajt, të përfshirë janë 28 persona dhe shoqëri, përfshirë bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
SPAK ka lexuar parashtrimet dhe ka kërkuar kalimin e dosjes në gjykim. Në seancën e radhës të 27 nëntorit do të jepen edhe qëndrimet e mbrojtës.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI