
TIRANË- Gazetari Elton Qyno ka folur për mediat, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ishte “pro” tij. Qyno, e cilësoi këtë vendim pozitiv, teksa u shpreh se këtë betejë nuk e bëri vetëm për veten, por një kauzë që të tilla gjëra të mos ndodhin më me gazetarë që "rrëmbehen" në mes të rrugës. Gazetari u shpreh se Gjykata Kushtetuese vendosi me unanimitet, 8 me zero, në favorin e medias, jo në favorin e Elton Qynos.
“Është një vendim që sjell optimizëm në media, pavarësisht se betejën më ra mua që ta zhvilloja përgjatë dy viteve. Gjykata Kushtetuese u impenjua maksimalisht morën praktikat jo vetëm të Strasburgut, por edhe të Gjykatave angleze dhe vendeve të tjera të BE. Vendosën me unanimitet, 8 me zero, në favorin e medias, jo në favorin e Elton Qynos, se Elton Qyno nuk e bëri për hesapet e veta, por për të mbrojtur një kauzë që të tilla gjëra të mos ndodhin nesër, pasnesër, ku të rrëmbehet gazetari në mes të rrugës apo në mes të kafenesë. Më pas t’i bëhet kontrolli banesës, të kontrollohet fizikisht dhe të trajtohet një gazetar që ka mbuluar për 20 vite kronikën e zezë, të trajtohet si kontingjent krimi”, u shpreh Qyno.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot në favor të gazetarit Elton Qynos për ankimimin e tij, për vendimet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Qyno, kundërshtoi vendimin për sekuestrimin e pajisjeve elektronike në pronësi të tij, kontrollin në shtëpi dhe kontrollin personal pasi Prokuroria e Posaçme nisi një hetim ndaj tij për nxjerrje të sekretit hetimor.
Rasti i gazetarit Elton Qyno
Gazetari Elton Qyno u mbajt për rreth 11 orë në ambientet e SPAK në 14 dhjetor, dhe me një urdhër nga GJKKO iu sekuestruan dy telefonat dhe iu kontrollua banesa. Gjatë marrjes në pyetje, gazetarit iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve, të cilat i kishte publikuar në media lidhur me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin. Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. Ndaj gazetarit po zhvillohen hetime për 2 vepra penale si “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”. Në mbrojtjen e tij gazetari Elton Qyno kërkoi asgjesimin e të gjitha materialeve që SPAK ka mundur të aksesojë nga telefonat dhe kompjuterat e tij. Në padinë e ngritur, Qyno kërkoi shfuqëzimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime të SPAK, duke i konsideruar ato se shkelnin liritë dhe të drejtat e njeriut./ZËRI