ITALI-Media italiane La Repubblica ka dhënë detaje rreth atentatit me tritol ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci. Në artikull raportohet se ka një pistë shqiptare në hetim, konkretisht lidhur me Artur Shehun, 58-vjeçarin me origjinë nga Shqipëria, i konsideruar nga disa hetime si një figurë me peshë në krimin e organizuar të vendit të tij. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara, në Florida, ku bën një jetë të rezervuar në Miami, ku është vendosur prej disa vitesh.
La Repubblica shkruan se Drejtoria e Antimafias ka marrë informacion nga Vlora, për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor, nën banesën e moderatorit të emisionit 'Report'. Shkaku i ngjarjes lidhet me një episod të emisionit 'Report' të datës 21 prill 2024, me një episod të titulluar “(Hot) Spot Albanese”, mbi projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri. Në atë episod, emri i Shehut përmendet disa herë dhe vendoset në një kontekst marrëdhëniesh dhe biznesesh që prekin qarqe politike dhe institucionale shqiptare.
Në programin e Rai3, 58-vjeçari shqiptar përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të supozuara me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n.
Artikulli i Plotë:
Ka një pistë shqiptare në hetimin për atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci. Emri mbi të cilin janë përqendruar tani hetuesit është ai i Artur Shehut, 58 vjeç, biznesmen me origjinë nga Shqipëria, i konsideruar nga disa hetime si një figurë me peshë në krimin e organizuar të vendit të tij. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara, në Florida, ku bën një jetë të rezervuar në Miami, ku është vendosur prej disa vitesh. Sipas burimeve hetimore, edhe Drejtoria e Antimafias ka marrë informacion nga Vlora, në jug të Shqipërisë, për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor, nën banesën e moderatorit të emisionit 'Report'.
Bëhet fjalë, për momentin, për një hipotezë, për të cilën nevojiten ende verifikime dhe prova përfundimtare, por që megjithatë po ndiqet me kujdes nga prokurorët e Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Romës — zëvendësprokurorja Ilaria Calò dhe prokurori Carlo Villani — së bashku me karabinierët e Njësisë Hetimore prej ditësh po përpiqen të rindërtojnë çdo detaj të atentatit.
Mundësia e motivit lidhet me një episod të emisionit 'Report' të datës 21 prill 2024, me një shërbim të titulluar “(Hot) Spot Albanese”, mbi projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive të Romës dhe Tiranës. Në atë shërbim, emri i Shehut përmendet disa herë dhe vendoset në një kontekst marrëdhëniesh dhe biznesesh që prekin qarqe politike dhe institucionale shqiptare.
Në programin e Raitre, 58-vjeçari shqiptar përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të supozuara me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n. Sipas investigimit gazetaresk, Shehu ka dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës për fondacionin e gjeneralit Fabrizio Lisi, që në atë kohë ishte kreu i Interpolit në Shqipëri. Operacioni, gjithmonë sipas Report, do të ndërmjetësohej nga avokati Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, figurë e konsideruar kyçe edhe në përcaktimin e marrëveshjes dypalëshe me Italinë për emigrantët.
Emri i Shehut nuk ishte i panjohur as për shtypin ndërkombëtar. Në mars të vitit 2021, gazeta amerikane ‘Miami Herald’ i kishte kushtuar një investigim të gjerë me titullin: “Nga një vilë në Miami Beach, një njeri me lidhje të supozuara me mafien ndërton një perandori tregtare në Shqipëri”. Artikulli jepte një portret të detajuar të jetës së tij në SHBA, duke përshkruar një vilë në Alton Road, “vetëm pak hapa larg gjirit të Biscayne”, të rrethuar me palma mbretërore, me një kopsht të mirëmbajtur dhe dy makina luksoze të parkuara në hyrje.
Sot, prokuroria po verifikon edhe këtë profil ndërkombëtar, duke kërkuar përputhje mes informacioneve të mbledhura në Shqipëri dhe lëvizjeve të 58-vjeçarit. Gjithsesi, pistat për urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve që 'Report' ka zhvilluar ndër vite — shpesh duke hyrë në territore delikate dhe duke prekur interesa të rëndësishme ekonomike e kriminale. Megjithatë, në këtë fazë, vëmendja e hetuesve duket se është përqendruar kryesisht te disa sektorë të mafies shqiptare, ndërkohë që karabinierët po vazhdojnë verifikimet për të identifikuar personin që ka vendosur lëndën plasëse dhe atë që, sipas zhvillimeve më të fundit, verën e kaluar kishte tentuar të hynte në shtëpinë e dytë të gazetarit, por pa ia dalë.
Kush është Artur Shehu?
Emri i tij doli më 2024 pas zbërdhimit të aplikacionit "SKY ECC", ku u zbulua një rrjet kriminal shqiptar me bazë në Belgjikë. Shehu, ishte i njohur në mesin e Policisë në Vlorë në atë kohë për veprimtari kriminale, sipas një ish-shefi të policisë së Vlorës i cili kërkoi të mos përmendej me emër për arsye sigurie.
Koha e Shehut në Vlorë përfundoi pas përplasjes me armë në 1999 në lokalin e tij, ku i vranë dy persona të besuar edhe xhaxhain. Kështu Shehu vendosi që të niste një jetë të re në Amerikë. Në 2005, ai u transferua në Miami, ku ndërtoi një vilë të stilit kolonial me pamje nga një fushë golfi, e kompletuar me kolona dhe të zbukuruar. Prona mendohet se vlen deri në 3 milion dollarë.
Megjithëse Shehu kaloi gati dy dekada duke jetuar në Miami si emigrant, hetuesit italianë të antimafias besojnë se ai ka vazhduar të bëjë biznes në Shqipëri, ndonjëherë pretendohet se e ka bërë në emër të gangsterëve italianë. Guglielmo Cataldi, një prokuror në Lecce, tha se Shehu u hetua në vitin 2012 për rolin e tij në investimin e parave në Shqipëri për Albino Prudentinon, një anëtar i vjetër i organizatës mafioze italiane “Sacra Corona Unita”.
Nga viti 2009, Prudentino mori me qira një pjesë të një ndërtese luksoze në pronësi të Shehut në lagjen "Uji i Ftohtë" të Vlorës. Kështu pa rënë në sy, shefi i mafies italiane drejtoi një restorant dhe një dyqan akulloresh në katin e parë si dhe një kazino, në një kat më lart. Vetëm se Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013 për pastrim parash të mafies përmes këtyre bizneseve dhe u dënua me tre vjet burg. Ndërsa Prudentino bëri burg, Shehu bëri 1 milion euro pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, pasi nuk kishte asnjë provë që ta implikonte./ZËRI



