TIRANË-Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Pezë. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një 15-vjeçar, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe shoku i tij 16 vjeç. 16-vjeçari është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Bëhet me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Raportohet se 15-vjeçari i kishte marrë pa djeni makinën të atit dhe teksa ishin duke lëvizur me automjet i mituri ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me skarpatën anësore të rrugës. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.
Njoftimi i policisë:
Më datë 29.09.2026, rreth orës 22:10, në Pezë-Helmes, shtetasi i mitur 15 vjeç, duke drejtuar pa leje një automjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti është përplasur me skarpatën anësore të rrugës, dhe më pas është përmbysur.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën, ndërsa pasagjeri, 16 vjeç, është dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.