
TIRANË- Sokol Mjacaj ka dalë vetëm për pak orë nga ambientet e regjimit të posaçëm "41 biss" në burgun e Peqinit. Mjacaj ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në gjyqin për vrasjen e Arben Lleshit. Për "OraNews", gazetari Elton Qyno shkruan se i pandehuri për vrasjen, ishte i veshur mirë, buzagaz dhe fare i qetë, edhe pse përballë kishte prokurorin e çështjes së tij, Elvin Gokaj.
I dënuari me burg përjetë kërkon që të dalë nga regjimi i posaçëm ku u vendos pas vrasjes që kreu në burg me pretendimin se nuk është në gjendje të vuajë dënimin në këtë formë.
Për të shqyrtuar kërkesën e të pandehurit, Prokuroria e Posaçme, ka kërkuar që për rastin në fjalë të njihen me raportin e plotë që Ministria e Drejtësisë, ka përpiluar për këtë të dënuar. Kështu që seanca e radhës është shtyrë për në 24 Tetor.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015./ZËRI