Aktualitet

Vajza e Fatmira Dedës: Me Elvisin nuk kisha kontakte prej ’97-tës, mamit nuk do i preknin një fije floku po të ishte ai gjallë

E afërmja e dy viktimave të krimit në Durrës, është shprehur se me vëllanë e saj nuk ka pasur prej vitesh kontakte, ndërsa nga e ëma ka trashëguar vetëm një apartament, të cilin e ka shitur më pas

E.K
Vajza e Fatmira Dedës: Me Elvisin nuk kisha kontakte prej
fatmira dhe elvis dede

TIRANË- Ka dëshmuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, vajza e Fatmira Dedës dhe motra e Elvis Dedës, të vrarë në Durrës në vitin 2012 dhe 2013. Dëshmitarja ka treguar se vrasjen e nënës së saj në vitin 2013 e ka mësuar nga mediat, ndërsa një vit më parë kishte humbur dhe të vëllanë, me të cilin për disa vite tregon se nuk mbante kontakte shumë të afërta.

Vajza e Fatmira Dedës, shprehet se me vëllanë e saj, Elvisin, i kishte shkëputur marrëdhëniet që në vitin 1997 dhe nuk e kishte fare idenë se me çfarë biznesesh merrej ai, ndërsa pas vrasjes së tij, nuk kishte biseduar më as me nënën.

Dëshimtarja shprehet se vëllai i saj ka qenë shumë i lidhur me të ëmën, dhe nëse ai do të ishte gjallë, askush nuk do të guxonte që mamasë së saj t’i prekej qoftë edhe një fije floku.

Pjesë nga dëshmia:

Dëshmitarja: Unë kam lindur dhe jam rritur në Kavajë, më pas im vëlla, se di për çfarë arsye dhe rrethanash, u zhvendos në Durrës.

Çfarë biznesi kishte vëllai juaj?

Dëshmitarja: Unë se di me çfarë biznesi ishte marrë vëllai im, nuk e di çfarë ka bërë më tepër. Ai është larguar jashtë dhe e kam takuar në vitin 1997, ka qenë në emigracion. Fillimisht di që ka ikur në Itali, më pas në Hollandë dhe në Belgjikë. Në 2008 kam kuptuar që ai ka ardhur në Shqipëri. Kam qenë në punë, më kanë marrë një telefon dhe më thonë shiko se “Lozhja”… Pas ngjarjes unë kam ikur në Gjermani, sepse nuk e pranoja dot ngjarjen. Unë, kur isha në Gjermani, kam folur me mamin dhe i kam thënë që jam me ty, por nuk ndihem mirë për ta ndihmuar, sepse nuk njihja as njerëzit. Përsëri e kam marrë vesh nga televizori se mami ishte vrarë në 2013.

Në 1997 kam shkëputur të gjitha marrëdhëniet me vëllain, unë mora rrugën e shkollës, ai tjetër. Po të ishte Losha gjallë, ata që e kanë vrarë mamin, nuk kanë pasur shanse të prekin një fije floku. Familjarët e mi nuk e meritonin këtë fund. Vëllai ka qenë shumë i lidhur me mamin. Pas vrasjes së vëllait nuk kam pasur shumë komunikim me mamin, pasi i dhashë kohë vetes time për të kuptuar çfarë kishte ndodhur. Mamin tim e ekzekutuan për ca para.

Mami im është vrarë për 20 mijë euro, e kam dëgjuar në media. B.D. është daja i lozhës, i vëllait tim, pasi ai me ata ka pasur më shumë marrëdhënie, ndërsa unë s’kisha asnjë marrëdhënie me ta. Në 2014 kam takuar zotërin Festim Qoli, për pasurinë e vëllait tim. Ai më ka kërkuar shitjen e disa aksioneve të një objekti, të një biznesi. Nga shitja, vlera ka qenë 45 mijë euro. Unë thjesht kam firmosur. Nuk kam folur shumë gjëra me F.Q., ai më ka bërë ndajren e pasurisë me mamin.

Unë s’kisha idenë e asaj gjëje. B.D. më ka ardhur në shtëpi dhe më kanë kërkuar firmën që ata të ndjekin të gjitha pronat, që i kishte mami im dhe vëllai im. B.D. (daja) nuk më ka treguar se F.Q. ishte i dyshuar për vrasjen e vëllait tim. Nga mami im kam trashëguar vetëm një apartament, të cilin e kam shitur dhe kam blerë një tjetër banesë. Nuk kam qenë kurrë tek apartamenti ku ka jetuar mami. Unë ia lashë në dorë drejtësisë, nuk jam interesuar për vrasjen e vëllait dhe mamit. Nuk kam jetuar me mamin dhe as me anëtarë të familjes së mamit. Unë s’kam jetuar me mamin as me vëllain. Ata ikën nga Kavaja dhe shkuan në Durrës.

Fatmira Deda, u vra në vitin 2013 në moshën 60-vjeçare, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në Golem. Ajo në atë kohë u godit me sende të forta në mënyrë që vrasja të dukej si një grabitje. Asaj një vit me parë i ishte ekzekutuar në mënyrë mafioze i biri, Elvis Deda, krim për të cilin ajo kërkonte drejtësi, dhe kishte bërë përpjekjet e saj për të vënë përpara përgjegjësisë autorët. I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka pretenduar se vrasja e Fatmirës është kryer nga Talo Çela, për llogari të Festim Qolit, për shumën e 40 mijë eurove.

Poll

MOS HUMB