TIRANË- Biznesmeni dhe botuesi i disa mediave, Irfan Hysenbelliu është kërcënuar me jetë, vetëm një ditë pasi televizioni informativ që ai drejton u rikthye në transmetim. Sipas mediave të Hysenbelliut, bëhet me dije se ai dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë nga një person që ka lidhje të ngushta me nivele të larta të qeverisjes.
"Botuesi i News24 dhe Panorama Grup së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24", thotë reagimi.
Në reagim, bëhet po ashtu me dije se avokatët e familjes do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore, duke depozituar edhe provat përkatëse që provojnë kanosjen. Ndërkohë që familja Hysenbelliu thekson mbështetjen e fortë për gazetarët, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë punën e tyre, të pashqetësuar.
"Familja Hysenbelliu rikonfirmon mbështetjen e plotë për gazetarët dhe stafin e News 24 dhe Panorama Grup, duke i inkurajuar ata të vijojnë të pashqetësuar punën e tyre fisnike në raportimin e lajmit dhe denoncimin e korrupsionit", thuhet ndër të tjera në reagim.
Një javë më parë policia zbarkoi në ambientet e televizionit informativ News 24 duke mos lejuar punonjësit të futen brenda godinës, ndërsa me vendim gjykate kërkuan që ta lironin godinën e medias. Për 10 ditë me rasdhë, Televizioni News 24 dhe të gjitha mediat që janë pjesë e grupit "Focus Media", ndaluan transmetimin, deri dje më 18 gusht.
Televizioni News 24 dhe të gjitha mediat që janë pjesë e grupit "Focus Media" në pronësi të Irfan Hysenbelliut, ndalën transmetimin për 10 ditë me radhë, deri dje më 18 Gusht, pasi Policia zbarkoi në godinën e medias dhe kërkoi që ta lironin, sipas vendimit të Gjykatës. Avokatura e Shtetit deklaroi se mediat në pronësi të Irfan Hysenbelliut kanë qëndruar në këto godina prej më shumë se tre vitesh pa titull ligjor, pas mbarimit të kontratës së qirasë. Sipas deklaratës, kompania e Irfan Hysenbelliu kishte 2 milionë euro detyrime të papaguara./ZËRI