TIRANË-Ish-zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Hava Delibashi është paraqitur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, GJKKO. Delibashi ka kërkuar zëvendësim të masës së sigurimit, ‘arrest në shtëpi’. Ish-zyrtarja mbahet prej më shumë se 3 muajsh në masën e “arrestit në shtëpi”, por tashmë pretendon se kjo masë duhet zbutur, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet, pasi është shtatzënë.
Seanca u shty me qëllim që prokurorët e SPAK, Bledar Maksuti e Altin Dumani, të paraqesin informacionin 2 mujor lidhur me veprimet hetimore të kryera deri në këtë momente, e më pas gjykata të shprehet lidhur me kërkesën e Delibashit.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Sipas burimeve hetimore, përveç shkeljes së barazisë në tendera, autoritetet po hetojnë edhe qarkullimin e fondeve të përfituara nga këto kontrata, për të verifikuar elementë të mundshëm të pastrimit të parave.
Lidhur me hetimin dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t, vijojnë të jenë në kërkim. Dyshja akuzohet se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta. Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi janë në “arrest shtëpie”. GJKKO ka pezulluar nga detyra zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj./ZËRI