
TIRANË- Laboratori i kokainës në Qerekë funksiononte prej më shumë se 1 viti në Shqipëri derisa mbrëmë u goditën nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në njoftimin zyrtar, SPAK zbulon më shumë detaje lidhur me tipologjinë e këtij grupi, nga të cilët u arrestuan vetëm 10 persona, por ka dyshime se edhe shumë të tjerë janë të përfshirë në organizatën kriminale. Megjithatë nga ajo që dimë deri më tani, droga blihej në Amerikën Latine dhe trafikohej për në Shqipëri. Ndryshe nga sa jemi mësuar deri më tani, mëyra e fshehjes nuk ishte përmes bananeve apo mes frutave ekzotike, përkundrazi! Ishin më të sofistikuar...
Drogën, grupi e fshihte tek “lëkurat e bagëtive” dhe i sillnin në Shqipëri!
Në Qerekë dhe tek "Kodra e Diellit" ishin ngritur dy ambiente për përpunimin e drogës. Përveç drogës, nga vendet e Amerikës Latine kishin sjellë një kolumbian dhe 2 venezuelianë, 3 “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. "Ekspertët e huaj" kishin për detyrë që vetëm të shfrytëzuar aftësitë e tyre për të "konvertuar" drogën, ndërsa financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Pra të mos u mungonte asgjë që mund t'u shkaktonte dëm të madh.
"Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian,"-përshkruan SPAK në njoftimin zyrtar.
Pasi lënda e fshehur në “lëkurë gjedhi të kriposur” kthehej në kokainë, niste një fazë tjetër aksioni: transportin e kokainës! Transportuesit luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
"Çdo hallkë ishte përcaktuar në mënyrë të detajuar,"-shton SPAK në njoftimin zyrtar.
Nga më shumë se në vit hetime, SPAK ka vënë re se rrjeti kishte një bashkëpunim shumë efikas dhe ishin të gjithë shumë të organizuar dhe në sinkron./ZËRI