KORÇË-Një 34-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës pas një operacioni antidrogë. Pas dyshimeve se ishte pjese e një rrjeti shpërndarësish të lëndëve narkotike u bë e mundur kapja e 34-vjeçarit. Gjatë kontrollit fizik atij iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Më pas nga kontrolli në banesën e tij u gjetën fara Cannabisi, një sasi municioni luftarak dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, fara Cannabisi, municion luftarak dhe një shumë parash.
Arrestohet në flagrancë 34-vjeçari, që i posedonte sendet e kundërligjshme.
Në vijim të punës, për goditjen e veprimtarive të paligjshme të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, kultivimit të bimëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas në Devoll, dyshohej se i ushtronte këto veprimtari, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar "Braçanj".
Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. M., 34 vjeç, banues në fshatin Braçanj, Devoll.
Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Më pas nga kontrolli në banesën e tij u gjetën fara Cannabisi, një sasi municioni luftarak dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.