
TIRANË-Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Myzyri është marrë në pyetje si person në hetim. Kreu i KPP dyshohet për 'shpërdorim detyre' dhe 'favorizim i kompanive në tenderë', por ende nuk i është komunikuar asnjë akuzë. Myzyrit i është sekuestruar edhe telefoni për llogari të hetimit.
Pas tre orësh në SPAK, kreu i KPP i pyetur nga gazetarët nëse është marrë nën hetim nga Prokuroria dhe çështjen për të cilën u mor në pyetje, vendosi të heshtë para kamerave.
Kjo është hera e tretë që Myzyri thirret në Prokurorinë e Posaçme. Hera e fundit e Myzyrit në SPAK, ishte më 7 prill ku u pyet për rreth dy orë nga prokurorët. Në dalje të Prokurorisë kreu i KPP nuk pranoi të fliste për mediat.
Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit publik, koncesioneve/partneritetit publik privat, ankandeve publike dhe procedurave konkurruese të dhënies së lejeve minerare./ZËRI