Aktualitet

Studentët në protestë, ambasadat heshtin...ndryshe nga protestat e opozitës! BE: Veprimet e policisë të jenë proporcionale

Mungesa e reagimeve nga ambasadat e tjera bie në sy, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimet e tyre të shpeshta ndaj protestave të opozitës.

zh.ll
Studentët në protestë, ambasadat heshtin...ndryshe nga protestat
foto ilustrim

TIRANË- Studentët protestojnë prej dy ditësh radhazi para Ministrisë së Arsimit, por ajo që bie në sy është fakti se nuk ka reagime nga ambasadat e huaja në vend.

I vetmi reagim i deritanishëm vjen nga Ambasada Amerikane në Tiranë, mbrëmjen e djeshme, në ditën e parë të protestës. Përmes një njoftimi publik, ambasada amerikan paralajmëroi qytetarët për përshkallëzimin e situatës dhe duke u kërkuar të tregojnë kujdes.

“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Mungesa e reagimeve nga ambasadat e tjera bie në sy, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimet e tyre të shpeshta ndaj protestave të opozitës. Në protestat e opozitës, kryesisht ambasada gjermane dhe ajo britanike kanë reaguar shpesh para, gjatë dhe pas zhvillimit të tyre, por këtë herë...ka vetëm heshtje.

Këtë herë, megjithatë, situata duket ndryshe. Studentët vijojnë protestën për të dytën ditë radhazi, ndërsa tubimi është përshkallëzuar, por nga ambasadat e tjera nuk ka pasur ende reagime publike.

Mbetet për t'u parë nëse ambasadat do të reagojnë për protestën e studentëve, apo nëse heshtja e tyre do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Ndërkohë, delegacioni i BE-së ka shprehur shqetësimin lidhur me protestën e studentëve dhe përshkallëzimin që për të dytën ditë radhazi vijon përpara Ministrisë së Arsimit. Delegacioni thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore. Po ashtu, BE thekson se veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të protestuesve dhe gazetarëve

“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE./ZËRI

Poll

MOS HUMB