SELENICË- Dalan Gjollek Alliaj 36-vjeç është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij mbrëmjen e sotme. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gjormë të Selenicës, ndërsa detaje të reja janë zbuluar.
Mësohet se viktima ka qenë për vizitë te xhaxhai i tij, i cili është babai i Bertil Alliaj. Ky i fundit, ishte përfshirë në një ngjarje në vitin 2015, në atë që njihet si “masakra e Çoles”. Burime bëjnë me dije se gjatë kohës që ka qenë te dera, i është afruar një person dhe e ka goditur me 6 plumba, duke u larguar më pas.
Kanë qenë vetë familjarët që kanë gjetur trupin e pajetë dhe e kanë transportuar në spital, por 36-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Dalan Alliaj figuron pronar i pikës së pjesëve të këmbimit të automjeteve në Levan Allidagu. Ndërkohë, po hetohet si pista e hakmarrjes por dhe pista të tjera, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Kur ndodhi Masakra e Çoles?
Masakra e Çoles ndodhi në prill të vitit 2015, kur pas një sherri banal në kazino mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Policia akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë./ZËRI
