TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga rrjeti call centerave që u godit në Tiranë, pas një operacioni të SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj të shpallur në kërkim janë në fokus të operacionit të madh të SPAK-ut dhe BKH-së. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj, rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e cila merret me Call Center dhe telemarketing. Vëllezërit dyshohet se operonin nga një call center i kamufluar me kompaninë 'Infinite', me zyra qëndrore në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”.
Pronar dhe administrator i 'Infinite' është David Prendi, 29 vjeç. Nga kjo zyrë autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.
Mësohet se Prendi po hetohet si derivat i tre vëllezëve tropojanë. SPAK ka administruar prova dhe po heton rolin e kompanisë 'Infinite' në skemën e mashtrimit. Tre vëllezërit Prekaj kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj qendre.
Por kush janë vëllezërit tropojanë-nga punëtor ndërtimi në bos call centerash
Agim Prekaj ishte thjeshtë një punëtor ndërtimi në Itali. Jeta e tij ndryshoi kur njohu Nazen, një operatore e zonja e call centerave në Tiranë dhe më pas një nga menaxheret kryesore e skemave të mashtrimit me vlerë dhjetëra milionë euro.
Naze dhe Agim Prekaj nisën të ndërtonin gradualisht rrjetit e tyre të mashtrimit, i cili do t’u sillte fitime marramendëse. Prapaskena shkruan se Naze Prekaj njihet në botën e call centerave si truri që qëndron pas ngritjes dhe ‘suksesit’ të rrjetit të mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes platformave të rreme.
Paratë e aktivitetit kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emrin e njerëzve të afërt dhe të besuar. Vetëm përmes një ndërtuesi me emër në Tiranë dyshohet se kanë pastruar mbi 100 milionë euro. Ndërkaq, edhe pas goditjes nga SPAK, Agim Prekaj, po hap pika të reja call centerash nëpër Tiranë në emrin e ushtarëve të tij të besuar.
Si u humbën gjurmët e aktivitetit
Në mars të vitit 2022, një nga vëllezërit nga Tropoja, Alfred Prekaj i ka shitur Amarildo Saliasit kompaninë e call centerave Balkanspro, me zyra në Rrugën Jordan Misja, Kompleksi Reno Construction, kati I, objekt kontrolli nga BKH-ja.

Ka dyshime për shitje fiktive të kompanisë në kuadër të lëvizjeve të tre vëllezërve për të humbur gjurmët e aktivitetit kriminal të zhvatjes përmes mashtrimit. Saliasi dyshohet si derivat i grupit të Agim Prekajt, ku bëjnë pjesë edhe të arrestuarit nga SPAK Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi.
Hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Të arrestuarit u kapën në flagrancë teksa transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, në kullën “Atti Tower”, ku ndodheshin zyrat qëndrore, me qëllim asgjësimin.
Punonjësit e arrestuar, mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas dyshimeve për një ndërhyrje të mundshme, ambientet e Call Center-it në “Atti Tower” boshatisën zyrtat dhe pajisjet po i vendosnin në një tjetër ambjent të marrë me qera në një tjetër godinë. Gjatë kontrolleve në zyrën e marrë me qera u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime./ZËRI




