ZVICËR-Një drejtor menaxhues 57-vjeçar nga Kosova, i vetëshpallur imam, është dënuar me tre vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut Dietikon, për mashtrim dhe disa vepra të tjera penale financiare. Krahas dënimit me burg, gjykata ka urdhëruar edhe dëbimin e tij nga Zvicra për një periudhë trevjeçare.
Vendimi u shpall pas një gjykimi disa-ditor, ku i pandehuri, anëtarë të familjes së tij dhe kontabilisti u përballën me akuza të shumta që lidhen me mashtrime financiare, përfshirë përfitime të paligjshme gjatë pandemisë Covid-19. Sipas autoriteteve, ai kishte ndërtuar një jetë luksoze duke mashtruar bankat dhe shtetin zviceran, duke shkaktuar një dëm prej rreth 1.5 milionë frangash.
Sipas gazetës “Tages Anzeiger”, i dënuari pretendonte se udhëhiqte rreth 8 mijë besimtarë dervishë dhe kishte përfshirë në aktivitetet kriminale gjithë familjen e tij prej gjashtë anëtarësh, si dhe dy bashkëpunëtorë. Hetimet nisën pas bastisjes së një vile luksoze pranë Cyrihut, për të cilën ai paguante qira mujore prej 24 mijë frangash.
Prokuroria bëri të ditur se shehu kishte krijuar një rrjet kompanish fiktive, duke u paraqitur si sipërmarrës i pasurive të paluajtshme dhe duke paraqitur bilance të rreme. Përmes këtyre mashtrimeve, ai kishte përfituar edhe mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të Covid-19. Gjatë operacionit, hetuesit konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike; po ashtu u zbulua një sistem kompleks i firmave fiktive që shërbenin si mbulesë për pasurimin e paligjshëm.
Ndërkohë që përpara institucioneve shtetërore deklaronte varfëri, familja dispononte një flotë prej rreth 120 automjetesh luksoze. Mes tyre përfshiheshin Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury, ndërsa rreth 100 mijë franga ishin shpenzuar vetëm për blerjen e targave speciale me numra të veçantë, të cilat në Zvicër shiten në ankande si simbole prestigji.
Gjykata dënoi të pandehurin kryesor me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga Zvicra për tre vjet, ndërsa për ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët vendosi lirimin nga akuzat ose dënime minimale me gjobë. Sipas gjykatës, familja funksiononte nën një strukturë të fortë patriarkale, ku vendimet financiare merreshin vetëm nga kryefamiljari. Shehu kërkoi falje, duke deklaruar se kishte përdorur familjarët si mbulesë për aktivitetet e tij për të ruajtur imazhin si prijës fetar. Gjykata vlerësoi se dënimet e mëparshme nuk kishin ndikuar në ndryshimin e sjelljes së tij, ndërsa një nga ndihmësit u dënua me kusht dhe për tjetrin pritet vendimi./ZËRI