Aktualitet

“Metamorfoza”/ 'Jam një i vdekur që ecën', Pëllumb Gjoka: Për Licin e Dulin janë thashetheme të 'Sky ECC'

Biznesmeni shprehet se akuzat ndaj tij janë ngritur mbi bazën e materialeve të platformës Sky ECC, të cilat i quan thashetheme

F.I
“Metamorfoza”/ 'Jam një i vdekur që ecën',
Pëllumb Gjoka

TIRANË-Biznesmeni Pëllumb Gjoka ka folur për herë të parë në GJKKO lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Gjoka ka mohuar përfshirjen në ngjarjet kriminale për të cilat po hetohet. Biznesmeni shprehet se akuzat ndaj tij janë ngritur mbi bazën e materialeve të platformës Sky ECC, të cilat i quan thashetheme, ndërsa tha se ndaj tij është zhvilluar një “gjyq publik”.

Gjoka foli edhe për akuzën që lidhet me vrasjen e Gjin Ndoj, duke deklaruar se sipas akuzës ai paraqitet herë si organizator i ngjarjes dhe herë si person që ka pasur dijeni për të.

Pëllumb Gjoka: Jam de facto i dënuar sepse më është bërë një gjyq publik. Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe se kam çuar e marrë vrasësit. Kushdo që ka organizuar, marrë pjesë, folur një herë të vetme që të vritet, kushdo që ka gjetur vendin e makinës ka bërë një veprim kriminal. Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje. Herën e kaluar më pyetër a jam i dënuar. Unë de facto jam dënuar, se më është bërë një gjyq publik. Çfarë nuk kam dëgjuar. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh kam dëgjuar. Gjyqet publike nuk janë për të zbardhur të vërtetën. Gjyqet publike bëhen për t’u bërë presion gjyqtarëve. Gjithë këtë histori e kanë bërë për shkëmbime favoresh. Unë kam 30 vjet që merrem me biznes. Bizneset kryesore i kam pasur lokalet e natës dhe lojërat e fatit. Janë biznese që paragjykohen. Unë jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin. Për këtë jam habitur, nuk di ku kam shkelur. Kam 3 vjet në paraburgim e nuk di çfarë kam bërë. Në hasmëri më kanë futur, aktivitetin ma kanë bllokuar. Në burg je një i vdekur që ecën. Po gjykohem mbi thashethemet e Sky ECC e me lehtësi me të futur në burg e në hasmëri, nuk e di. Janë shumë familje të ngujuara edhe unë ju garantoj, që historia që kanë nisur këta, do vazhdojë. 

Marrim analizën e kodeve. Për një moment, po i marrim si të vërteta, sikur kodi i pretenduar është i Behar Bajrit.
Nëse e marrim të mirëqenë, në çdo bisedë ai flet vetëm për punë dhe të gjitha thëniet e tij janë kontradiktore. Në një vend ai thotë: “Dua ta heq njërin, por emrin nuk ia di”. Në një tjetër bisedë, kodi i pretenduar si i tij, thotë: “Sa lekë më jep për Visi”. Nuk di sa i thotë ai. Njëherë thotë: “E bëj se janë shumë lekë”. Pastaj thotë: “Duan me t’vra”. Më vonë thotë: “Nuk vras njeri se kam fëmijë”. Për përgatitjen e kushteve për të vrarë Genc Tafilin, nuk ka asnjë bisedë, asnjë komunikim. Unë nuk kam asnjë konflikt me ta. Për Ibrahim Licin e Dorian Dulin janë thashetheme SKY. Për Kleathi Musabelli është e vërtetë që kam pasur një konflikt me të.

Nga korriku i vitit 2023, Pëllumb Gjoka ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra të rënda penale, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Gjoka u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa bashkë me të në pranga përfnduan policë, prorkurorë dhe ish-prokurorë. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës.

SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./ZËRI

Poll

MOS HUMB