TIRANË- Parlamenti ka miratuar me 85 vota pro një paketë ndryshimesh në Kodin e Ri Penal, ku përfshihet edhe dekriminalizimi i shpifjes. Ndryshimi parashikon përjashtimin nga përgjegjësia e veprës penale vetëm për gazetarët, të njohur si të tillë apo të regjistruar.
Ky vendim ka ngjallur debate në opinionin publik, ku organizatat e medias po ashtu dhe aktorë të tjerë publik e kanë cilësuar masën si të pjesshme, ku sipas tyre neni 120 nuk e heq shpifjen nga Kodi Penal për të gjithë qytetarët.
Ndërsa qeveria e ka paraqitur ndryshimin si të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit. Mirëpo, organizatat ndërkombëtare të medias e kanë cilësuar se ky nuk është standard i BE-së. Sipas tyre, ky lloji standardi i ri, cënon lirinë e shprehjes për qytetarët.
A ka pasur konsultim publik mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë? A do të ketë një regjistër të gazetarëve? Dhe si do ndikojë kjo në punën e përditshme të gazetarëve dhe në terrenin mediatik?
Përgjigjen do na e japin ekspertët!
Intervistën me ju zoti Luku dua ta nis pikërisht me një qëndrim që ju keni mbajtur pak ditë më parë ku shpreheni se ky dekriminalizimi i fundit heq edhe pak atë trysninë ligjore që kanë sot gazetarët. Për ta qartësuar do të donim një qëndrim të plotë edhe ku qëndron problemi i këtij kodi të ri?
“Ky kod është shumë problematik. Është shumë problematik sepse në emër të dekriminalizimit, çfarë ka bërë, ka bërë që të çensurohet akoma më shumë puna e gazetarit dhe të vështirësohet gjithnjë e më shumë. Pse e them këtë? E them sepse tani dënohesh për shpifje, qoftë kur gënjen me qëllim, qoftë kur gënjen pa qëllim. Gazetari thuhet aty përjashtohet nga shpifja, por ndërkohë janë disa pika të tjera, që, çfarë thonë, thonë që: ok, e publikove ti këtë informacion, nuk e dije që kjo ishte shpifje? Po. Çfarë ke bërë ti si gazetar për të verifikuar këtë informacion, a ke bërë përpjekje për ta verifikuar? Dhe sigurisht këtu tani gazetari në gjykatë, sepse aty në mënyrë eksplicite përmendet dhe kodi i gazetarit, është i detyruar që të tregojë përpjekjet e tij, pra kemi një futje të institucionit të drejtësisë në punën e gazetarit.”- shprehet Elvin Luku, studiues i medias.
Redaktori i BIRN Gjergj Erebara është shprehur kritik ndaj idesë së “gazetarëve të regjistruar” si kriter për dekriminalizimin e shpifjes, duke e konsideruar këtë një kufizim të padrejtë dhe jo praktikisht funksional.
“Mendoj që ishte një harxhim kot energjish dhe një ndërhyrje thellësisht nga pikëpamja ligjore thellësisht e gabuar dhe thellësisht jofunksionale. Sepse sipas propozimit të qeverisë, personat që janë gazetarë nuk hidhen dot në gjyq penal për shpifje, me malinjitet hidhen në gjyq civil për shpifje, por ata duhet të jenë gazetarë të regjistruar. Neve duke qenë se në Shqipëri nuk kemi ndonjë sistem të regjistrimit të gazetarëve, dhe nuk duhet të kemi, dhe nuk do të kemi, sepse është kundër standardeve të drejtave të njeriut, kjo ndërhyrje ligjore e bën një nonsens që as nuk është fuqizuar në shpifjen për gazetarët dhe as nuk ndryshon asgjë praktikisht.”- tha Erebara.
Blerjana Bino, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës ‘Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) ka qenë një nga emrat më të përfolur ditëve të funit lidhur me qëndrimet kundër ndryshimeve të reja në Kodin Penal sa i përket dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët. Majde në një shkrim të saj ai argumentoi se gazetaria nuk duhet të trajtohet si profesion i licencuar apo i rregulluar nga shteti, pasi kjo mund të dëmtojë lirinë e shprehjes. ZËRI e pyeti znj. Bino lidhur me qëndrimin e saj mbi ndryshimet e fundit.
“Ne së bashku edhe me organizatat e tjera të shoqërisë civile kemi kërkuar dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe të fyerjes. Aktualisht ndryshimet në kodin penal nuk janë bërë me procedurën e rregullt të konsultimit, me transparencë me kohën e duhur dhe teksti i miratuar nuk përmban atë që është kërkuar dhe nuk është në linjë me frymën e rekomandimeve të Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian. Dhe krijon veç problemeve të tjera, hap shtegun për krijimin e urdhrit të gazetarëve ose regjistrimin, rregullimin me ligj të profesionit të gazetarëve. Prandaj dhe ne jemi të shqetësuar për mënyrën e se si kanë kaluar këto ndryshime po dhe për përmbajtjen e tyre.”- tha ndër të tjera ajo.
Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, e konsideroi paketën e ndryshimeve ligjore për median si problematike dhe shqetësuese, duke theksuar se qeveria injoroi një proces të gjatë dialogu (ku dhe ai ka qenë pjesë) mes aktorëve kryesorë të medias dhe institucioneve. Sipas tij, dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes dhe krijimi i një kategorie të paqartë si “gazetari me regjistër” jo vetëm që nuk forcojnë lirinë e medias, por rrezikojnë ta kufizojnë atë përmes paqartësive ligjore.
“Paketa e ndryshimeve është e paplotë sepse ka mbetur fyerja akoma në fuqi. Dhe është është e paplotë dhe në aspekte të tjera sepse komuniteti i gazetarëve dhe shoqatave të medias ka punuar për gati një vit rresht për të prodhuar disa dokumenta në një platformë të quajtur platforma për dialog. Ku qeveria ka qenë palë, fakulteti i gazetarisë ka qenë ndërmjetës, BE-ja dhe Këshilli i Europës kanë qenë gjithashtu palë dhe organizatorë dhe mbështetës të kësaj tryeze. Ku pastaj gazetarët, mediat dhe shoqatat gjithashtu kanë dhënë kontributin e tyre. Arsyeja pse u ngrit kjo tryezë dialogu ishte pikërisht kjo. Që kur të vijë puna për të prodhuar ligje që kanë të bëjnë me median, këto paketat e ndryshimit të vijnë si pasojë e këtij dialogu. Dhe kjo gjë nuk ka ndodhur me paketën në fjalë.”-tha Cukali.
Të njëjtin shqetësim e ndau edhe Entelena Ndrevataj, pjesë e Albanian Women in Audiovisual (AWA), një organizatë që merret me lirinë e medias dhe fuqizimin e grave në media.
“Rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile që merren kryesisht me mbrojtjen e lirisë së medias kërkuan që të dekriminalizohet plotësisht shpifja për gazetarët. Ajo çfarë në fakt ndodhi është që shpifja dekriminalizohet pjesërisht pasi në kodin e ri penal ekziston një koncept i panjohur për ne, që nuk ka bazë ligjore, gazetar me regjistër. Ne e konsiderojmë këtë një nismë shumë shqetësuese pasi krijon një amulli ligjore duke qenë se nuk ekziston një regjistër për gazetarët dhe i druhemi pasojave të mëtejshme që mund të sjellë një gjë e tillë.”- tha ajo.
Ndryshimet në Kodin e Ri Penal u miratuan në një klimë ku censura, vetëcensura dhe vetërregullimi i medias janë kthyer në tema të domosdoshme diskutimi, sidomos me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Për këtë ZËRI pyeti Elvin Lukun se ku qëndron sot problem thelbësor i medias shqiptare. Ai thekson se realiteti mediatik shqiptar është kompleks dhe nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me modelet perëndimore, duke nënvizuar se abuzimi me lirinë e shprehjes nga një pjesë e mediave ka ndikuar negativisht në besueshmërinë dhe funksionin e saj publik.
“Konteksi i medias shqiptare nuk është konteksti i medias britanike, që ka shkuar drejt dekriminalizimit. Pse e them këtë? E them sepse në median shqiptare ne jemi të, duhet të jemi të ndershëm edhe me opinionin publik, ka një numër të caktuar mediash që shpeshherë abuzojnë me këtë lirinë e shprehjes dhe shpeshherë kanë vajtur deri në kërcënime, gjobvënie, në këmbim edhe të shumave të shumave monetare. Gjëja e parë që duhet thënë, jo të gjithë mediat futen në një thes. Së pari, mund të për, për të bërë analizë më të saktë duhet ndarë në kategori, për shembull mediat tradicionale audiovizive ë, mediat të cilat janë online, pastaj për të shkuar në një analizë akoma më të thellë bëhet nënkategorizimi i sepse jo të gjitha mediat online bëjnë një punë, ka media online që bëjnë një punë shumë të mirë, reporteri, media juaj e tjerë. Citizen dhe portale të tjera, por ka media të tjera që për hir të vërtetës e kanë kthyer gati-gati profesionin e gazetarit në një lloj profesioni për të gjeneruar më shumë të adhura përmes abuzimit me lirinë e shprehjes sesa të kundërtën. Sesa për të bërë një punë që është në interes të përgjithshëm publik.”-tha ai.
Pyetjes se pse këto ndryshime kaluan në mënyrë të shpejtë dhe të mënjëhershme, secili kishte një elaburim të ndryshëm, por me thelb të njëjtë: Nxitimi për të plotësuar kërkesat për anëtarësimin në BE në vitin 2027. Madje sipas tyre krijimi i një regjistri gazetarësh bie ndesh me standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, duke përjashtuar zëra të tjerë kritikë si: aktivistët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile etj.
Gjergj Erebara: “Në formatin që janë miratuar nuk kanë asnjë efekt sepse propozimi është që gazetarët nuk hidhen dot në gjyq për shpifje, në gjyq penal për shpifje, me kushtin që ata të jenë të regjistruar si gazetarë. Ne nuk kemi një sistem të regjistrimit të gazetarëve dhe nuk do të kemi sepse është kundër standardit minimal ndërkombëtar”.
Blerjana Bino: “Gjuha e urrejtjes është e rregulluar, është pjesë e kodit penal dhe duhet të qëndrojë e tillë. Standardet e Këshillit të Evropës janë shumë të qarta. Ne nuk po argumentojmë që duhet të ndryshojë kjo. Fyerja si ksenofobi, si racizëm është dhe duhet të mbetet. Ne po flasim për këtë efektin frikësues që ka shpifja dhe fyerja mbi ata që bëjnë gazetari në interes të publikut ose ushtrojnë funksionin e lirisë së shprehjes”.
Koloreto Cukali: “Mënyra se si e lexoj unë këtë situatë është një sforcim për të plotësuar disa afate që nuk janë, si të them, nuk janë të natyrshme për punën e një korpusi legjislativ. Pra dëshira për të kryer apo për të mbyllur kapitujt deri në 2027-ën është joproduktive, është jofunksionale siç ishte ky rasti për të cilin po flasim”.
Entenela Ndrevataj: “Në emër të anëtarësimit në Bashkimin Europian, një pjesë e procedurave po bëhen në mënyrë të përshpejtuar pa pasur mundësi që organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose për mbrojtjen e lirisë së shtypit, të përfshihen konkretisht në procedura të konsultimit publik, duke e bërë procesin jodemokratik mjaftueshëm.”
Në fund, ky ndryshim në Kodin e Ri Penal sa i përket dekriminalizimit të shpifjes së bashku me debatin që e shoqëroi gjithë procesin, sjell në fokus se reformimi i kuadrit ligjor për median dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri mbetet ende një sfidë e hapur. /ZËRI