TIRANË-Biznesmeni Ergys Agasi i shpallur në kërkim prej tetë muajsh u vendos në pranga mbrëmjen e djeshme në zonën e Plepave në Durrës. Por bashkë me të u vendos në pranga edhe një tjetër person i cili ishte shpallur në kërkim, jo për skemën e abuzimit me tenderat e AKSHI-t, por për kanosje dhe sherr në një hotel në zonën e Dhërmiut. Bëhet fjalë për ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpataraku.
Shpataraku ishte drejtuesi i mjetit tip 'Audi', ku ndodhej edhe Ergys Agasi. ZËRI raportoi mbrëmjen e djeshme se Agasi bashkë me Shpatarakun u lokalizuan në Elbasan dhe ndjekja ka vijuar drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas drejt Durrësit derisa u ndaluan në zonën e Plepave. Shpataraku u arrestua për ‘përkrahje të autorit të krimit’, pasi po lëvizte në automjet me Agasin. Mbrëmjen e djeshme Policia ka ushtruar gjithashtu kontrolle në banesën e Shpatarakut, pas shoqërimit të tij në komisariat.
Nga zyrtar në Polici, i shkarkuar dhe në kërkim!
Uljan Shpataraku mbante postin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit, deri në emërimin e Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit, ku u transferua në strukturat qendrore, duke punuar pranë Drejtorit të Përgjithshëm. Shpataraku u emërua asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit.
Por pas ndryshimeve në drejtimin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku u shkarkua nga detyra. Pas emërimit të Skënder Hitës në vend të Prodës, Shpataraku u largua me argumentimit zyrtar, 'mosparaqitja në detyrë'. Në fillim të këtij muaji më 6 gusht, Policia e Himarës shpalli në kërkim ish-zyrtarin e Policisë. Shkak u bë shërbimi në hotelin ku ish-efektivi po pushonte.
Konkretisht Shpataraku u përfshi në konflikt verbal me një prej kamerierëve dhe administratorin e subjektit. Gjatë debatit, stafi i hotelit ka deklaruar se ish-zyrtari i policisë i ka kërcënuar me jetë. Pas ngjarjes, punonjësit dhe administratori bënë kallëzim në Komisariatin e Policisë Himarë. Vetë Shpataraku nga arratia bëri një reagim publik ku mohonte akuzat dhe pretendonte se gjatë ndërhyrjes së policisë familjarët e tij janë terrorizuar.
Teksa arratisja e Agasit zgjati 8 muaj, për Shpatarakun vetëm 20 ditë. Ish-zyrtari i Policisë ndodhet po ashtu në Bllokun e Sigurisë, ndërsa pritet që dëshmia e tij t'i japë përgjigjen pyetjes se 'çfarë kërkonte një ish-zyrtar i Policisë me të shumëkërkuarin nga SPAK, Ergys Agasin'. Hetimet vijojnë dhe në pritje të detajeve të reja, Shpataraku i bashkohet listës së rasteve ku punonjësit e rendit shoqërojnë figurat e krimit.