LUSHNJË-Pas zbrazjes së ujit për punimet në digë në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, ku mijëra peshq ngordhën, Forcat e Armatosura, Bordi i Kullimit dhe Bashkia e Lushnjës janë angazhuar me mjete në terren për largimin e peshqve të ngordhur dhe pastrimin e ujëmbledhësit.
Ndërkohë, Policia raporton se nën hetim është vëndosur Fredi Mara, 58 vjeç, administrator i firmës që po kryen rehabilitimin e digës. Sipas policisë, kompania nuk mori masat e duhura për menaxhimin e ujërave gjatë punimeve. Hetimet po kryhen për dëmtim të habitateve dhe ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës.
Lidhur me rastin një reagim ka ardhur edhe nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla i cili vizitoi rezervuarin, duke theksuar se përgjegjësia i takon pushtetit vendor.
“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë”, tha Salla.
Salla tha se subjekti që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga bashkia për largimin e tij përpara ndërhyrjes.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. M., 58 vjeç, administrator i firmës për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit të liqenit në fshatin Kasharaj.
Procedimi penal nisi pasi kompania që administron ky shtetas, gjatë punës për rikonstruksion e digës së liqenit, e cila ishte dëmtuar, nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit dhe si pasojë ka ngordhur një numër i konsiderueshëm peshqish.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.