
TIRANË-Sot në Pallatin e Sportit "Fahrie Hoti" nisi procesi i rinumërimit të kutive të votimit duke përfshirë qarqet kryesore të vendit: Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan. Fillimisht procesi ka nisur për Gramshin dhe Peqinin, ku po hapen që prej mëngjesit 94 kuti, ku do të krahasohen fletët e votimit që janë në kuti me materialet zgjedhore. Procesi është drejt fundit, por nuk munguan tensionet.
Përfaqësues i PD, deputeti i zgjedhur Blendi Himçi, vijoi me pretendimet se ka konstatuar fletë votimi të pavlefshme të cilat janë numëruar për PS. Demokratët thonë se kanë konstatuar fletë votimi që nuk i kanë pasur të dyja vulat, apo në një kuti tjetër kanë konstatuar se mungonin 2 fletë votimi. Sipas demokratit, kjo provon fenomenin e "trenit bullgar".
“Fleta hyn te kutia e të vlefshmeve, është vetëm më një vulë dhe vazhdojnë e konstatojnë si të vlefshme, dhe vota sigurisht është për PS-në. Edhe fleta tjetër, që s’ka vulë farë është shënuar e vlefshme për numrin 5, për PS-në, pjesë e trenit bullgar. Po kërkojnë ti konstatojnë përsëri të vlefshme. Duhet bërë korrigjimi edhe i tabelës por jo vetëm, edhe konstatimi për pavlefshmëri i kësaj kutie. Për sa kohë futet një fletë bosh, e cila ka krijuar trenin bullgar dhe shikoni dhe rezultatin e kësaj qendre, është që kjo kuti të dali e gjitha e pavlefshme. Kjo është kërkesa jonë lidhur me këtë kuti votimi. Ky është një proces që ne e kemi konstatuar nga pamjet filmike. Po e rishikojmë dhe këtu dhe është një situatë skandaloze,”- tha Himçi.
Pas pretendimeve të tij, anëtari i KAS i sqaroi Himçit se nuk kemi të bëjmë me rinumërim në Gramsh e Peqin, por vetëm me verifikim dhe në këtë fazë numëruesit shënojnë vetëm parregullsitë që konstatojnë. Do jetë KAS që do të vendosë në fund, nëse gjetjet e procesit të verifikimit do përbëjnë prova të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e qarkut të Elbasanit
Nesër do të nisë rinumërimi i të gjitha votave të subjekteve politike dhe të kandidatëve në qarkun e Tiranës (1.282 kuti), më pas për Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora). Në total, do të hapen 2,323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti të votimit nga diaspora. Rinumërimi do të realizohet nga 24 grupe numërimi, të përbëra nga 63 punonjës të administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), prej të cilëve 48 janë numërues dhe 15 zëvendësues.
Çdo tavolinë rinumërimi (24 në total) do të ketë praninë e vëzhguesve të autorizuar nga tre subjektet kryesore ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia. Për të garantuar transparencën, të gjitha veprimet do të transmetohen drejtpërdrejt online nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po zhvillohet procesi.
Tiranë: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë e votimit brenda vendit, me 18 KZAZ dhe 1,282 qendra votimi.
Fier: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët, me 9 KZAZ dhe 587 qendra votimi.
Durrës: Do të rinumërohen 360 kuti, duke përfshirë 111 kuti të KZAZ nr. 21 dhe 22, 126 kuti sipas kërkesës së PD-ASHM dhe 60 sipas PLL-së, si dhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit.
Elbasan: Rinumërim i 94 kutive të KZAZ nr. 45 dhe 52, përfshirë fletët e votimit dhe materialet zgjedhore.
Buxheti i përcaktuar për rinumërimin kap vlerën e rreth 21 milionë lekëve./ZËRI