
TIRANË- Zbulohen detaje të reja nga vrasja e biznesmenit Eduard Reçi. Sipas të dhënave që janë mësuar, biznesmeni ishte ndjekur për 5 netë rresht nga Shkëlqim Dukaj, i cili punonte si oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.2, në Tiranë. Nga data 8 nëntor deri më 12, ishte efektivi i Policisë, ai që ishte kthyer në "hijen" e viktimës, duke studiuar çdo lëvizje të tij. Por ditën e vrasjes, personi që ishte kthyer në "rojen" e Reçit, ishte vëllai tjetër, Florian Dukaj. Ky i fundit lajmëronte të vëllanë për çdo lëvizje të shënjestrës së tyre, pasi qitjen e kishte marrë përsipër efektivi, pasi kishte më shumë eksperiencë me armët e zjarrit. Ndoshta ky detaj ishte një ndër thelbësorët në kapjen e tij, pasi që në fillim u shqua se viktima ishte qëlluar nga një dorë e stërvitur.
Sipas burimeve, efektivi Shkëlqim Duka, i cili njihet si qitës i mirë në radhët e uniformave blu dhe si person i apasionuar pas armëve të zjarrit. Por armën me të cilën kanë kryer krimin e kishin blerë në internet nga dy vëllezërit, më konkretisht në 'darkëeb'. Edhe pse dy autorët janë vendosur në pranga, Policia ende nuk ka gjetur armën e krimit.
Kamerat e sigurisë në zonë kanë mundur që të kapin momentin kur qitësi (Shkëlqim Dukaj) ka qëndruar në shkallët e pasme të katit të dytë të një hoteli, nga ku ka pasur fushëpamje të pastër nga shënjestra e tij. I vendosur në shkallët e hotelit, Shkëlqim Duka e ka pritur Eduart Reçin nga ora 7 deri në 11 të darkës, derisa qëlloi ndaj tij në orën 22:40 minuta me një plumb në kokë që i kushtoi edhe jetën. Mendohet se Shëklqim Dukaj ka qëlluar edhe më datën 8 nëntor ndaj viktimës, por nuk ka arritur që ta kapë. Megjithatë ky version ende nuk është konfirmuar nga uniformat blu.
Nga arrestimi i tyre, të dy vëllezërit janë marrë në pyetje nga efektivët e Policisë, por Shkëlqim Dukaj nuk ka pranuar që të japë deklaratë para kolegëve të tij. Por ndryshe nga ai, vëllai tjetër, Florian Duka ka mohuar të ketë dijeni apo lidhje me ekzekutimin e biznesmenit. Megjithatë pavarësisht pretendimeve të tyre, Policia e Shtetit thotë se ka prona të mjaftueshme për t'i implikuar me ngjarjen.
Por pse nisi përplasja?
Palët ishin përfshirë në një konflikt pasi biznesmeni Reçi kërkonte që të investonte në një pronë, në kufi me biznesin e dy vëllezërve Dukaj. Edhe pse ishin takuar disa herë për sqarim, nuk kishin dalë me një marrëveshje. Madje, dy muajt e fundit konflikti ishte agravuar dhe të dy palët kishn shkëputur tërësisht kontaktet. Por mesa duket vëllezërit Dukaj e kishin vendosur sesi do ta "zgjidhnin" konfliktin. Por përfunduan vetë në pranga.
52-vjeçari u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e 13 nëntorit teksa po kthehej në banesë, pikërisht pranë disa pallateve që i kishte ndërtuar vetë. Ish-drejtori i SHISH ishte i vetëm dhe mesa duket, autori e ka ndjekur për një kohë të gjatë dhe ka përfituar nga momenti kur e ka gjetur të ‘pambrojtur’ për ta sulmuar me armë zjarri. Madje raportohet se në momentin kur u qëllua, Reçi ishte duke folur në telefon. Edhe pse mori një plumbë në kokë, 52-vjeçari luftoi me vdekjen në spitalin e Traumës, por nuk ia doli që të shpëtonte dot./ZËRI