Bota

Presidenti i Koresë së Jugut shpall ligjin ushtarak, nisin protestat në Kuvend

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk akuzoi opozitën e vendit se kishte për qëllim të kontrollonte parlamentin dhe se po shfaqnin simpati ndaj Koresë së Veriut me qëllim paralizimin e qeverisë me aktivitete antishtetërore.

k.m.
Presidenti i Koresë së Jugut shpall ligjin ushtarak, nisin protestat
Pamje nga Kuvendi në Kore

SEUL- Presidenti i Koresë së Jugut,Yoon Suk Yeol ka shpallur në fuqi ligjin ushtarak në një fjalim të papritur që mbajti para qytetarëve që e votuan në detyrën e kreut të shtetit. Ligji ushtarak është vendosja e kontrollit të drejtpërdrejtë ushtarak të funksioneve normale civile ose pezullimi i ligjit civil nga një qeveri, veçanërisht në përgjigje të një emergjence ku forcat civile janë të mbingarkuar, ose në një territor të pushtuar. Por nuk është ky rasti për Korenë e Jugut. 

Yoon tha të martën mbrëma se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar, por nuk e përmendi ndonjë kërcënim specifik nga Veriu (Korea e Veriut), përkundrazi u fokusua te kundërshtarët e tij politikë të brendshëm. Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk akuzoi opozitën e vendit se kishte për qëllim të kontrollonte parlamentin dhe se po shfaqnin simpati ndaj Koresë së Veriut me qëllim paralizimin e qeverisë me aktivitete antishtetërore.

Lëvizja e befasishme vjen ndërsa Partia e Pushtetit Popullor të Yoon Suk-Yeol dhe Partia Demokratike kryesore e opozitës vazhdojnë përplasjen mbi projektligjin e buxhetit të vitit të ardhshëm. Deputetët e opozitës miratuan javën e kaluar një plan buxheti të zvogëluar ndjeshëm përmes një komisioni parlamentar. Opozita ka shkurtuar afërsisht 2.8 miliardë dollarë nga plani buxhetor i propozuar i Yoon prej 677 trilionë dollarësh, duke shkurtuar fondin rezervë të qeverisë dhe buxhetet e aktivitetit për zyrën e Yoon, prokurorinë, policinë dhe agjencinë shtetërore të auditimit.

Kundërpërgjigjia nga presidenti ishte kjo. 

"Unë shpall ligjin ushtarak për të mbrojtur Republikën e lirë të Koresë nga kërcënimi i forcave komuniste të Koresë së Veriut, për të zhdukur forcat e neveritshme antishtetërore pro-koreane që po plaçkisin lirinë dhe lumturinë e popullit tonë dhe për të mbrojtur kushtetutën e lirë. Përmes këtij ligji ushtarak, unë do të rindërtoj dhe mbroj Republikën e lirë të Koresë, e cila po bie në humnerën e rrënimit kombëtar. kryejnë aktivitete të mbrapshta. Parlamenti ynë është bërë një strofull për kriminelët. Parlamenti ynë, i cili duhet të shërbejë si themeli i demokracisë, por është bërë një përbindësh që po rrezikon vendin,"- tha Yoon.

Yoon, një ish-prokuror, akuzoi ligjvënësit e opozitës për shkurtimin e të gjitha buxheteve kyçe duke pretenduar se ata kishin për qëllim ndalimin e luftës kundër krimit dhe drogës dhe ruajtjes së sigurisë publike. Po sipas tij, opozita kërkon ta kthejë vendin në një "strehë droge" dhe të përfitojë nga gjendja e kaosir dhe mungesa e sigurisë publike që do të krijohet.

Presidenti vazhdoi duke etiketuar opozitën, e cila mban shumicën në parlamentin prej 300 anëtarësh, si "forca anti-shtetërore që synojnë të përmbysin regjimin demokratik të Koresë së Jugut". Ndaj, Yoon e përshkroi vendosjen e ligjit ushtarak si "të pashmangshëm "për të garantuar vazhdimësinë e një Koreje liberale, duke shtuar se kjo nuk do të ndikonte në politikën e jashtme të vendit.

"Unë do ta kthej vendin në normalitet duke hequr qafe forcat antishtetërore sa më shpejt të jetë e mundur,"- tha ai.

Më poshtë është një përkthim i Reuters i dekretit ushtarak nga Komandanti i Ligjit Ushtarak, i Përgjithshëm i Ushtrisë Park An-su:

"Për të mbrojtur demokracinë liberale nga kërcënimi i përmbysjes së regjimit të Republikës së Koresë nga forcat anti-shtetërore aktive brenda Republikës së Koresë dhe për të mbrojtur sigurinë e njerëzve, në të gjithë Republikën e Koresë shpallet si më poshtë:

- Ndalohen të gjitha aktivitetet politike, duke përfshirë veprimtaritë e Asamblesë Kombëtare, këshillave lokale dhe partive politike, shoqatave politike, tubimet dhe demonstratat.

- Të gjitha aktet që mohojnë ose tentojnë të përmbysin sistemin liberal demokratik janë të ndaluara, përfshirë lajmet e rreme dhe manipulimin e opinionit publik

- Të gjitha mediat dhe publikimet i nënshtrohen kontrollit të Komandës së Ligjit ushtarak.

- Grevat dhe bojkotet në punë, të cilat nxisnin kaosin social janë gjithashtu të ndaluara.

- I gjithë personeli mjekësor, përfshirë mjekët praktikantë, të cilët janë në grevë ose janë larguar nga fusha e mjekësisë duhet të kthehen në punë brenda 48 orëve dhe të punojnë me besnikëri. Ata që shkelin këtë urdhër do të dënohen në përputhje me ligjin ushtarak.

- Qytetarët e thjeshtë të pafajshëm, duke përjashtuar forcat antishtetërore dhe forcat e tjera subversive, do t'u nënshtrohen masave për të minimizuar shqetësimet në jetën e tyre të përditshme.

Kjo është hera e parë që nga viti 1980 që shpallet ligji ushtarak në Korenë e Jugut. Por tashmë ka një problem të ri! Ligjvënësit në Korenë e Jugut kanë votuar për të bllokuar dekretin e ligjit ushtarak të shpallur nga presidenti Yoon Suk Yeol. 190 nga 300 ligjvënës votuan kundër, e tashmë në këto kushte, është e paqartë se çfarë efekti do të ketë votimi në shpalljen e gjendjes ushtarake. Sipas ligjit të Koresë së Jugut, presidenti është i detyruar të respektojë votimin.

Paralelisht, njerëzit po protestojnë jashtë ndërtesës së parlamentit.

PAMJE NGA PROTESTA: 

Mes protestuesve dhe ushtrisë ka pasur edhe përplasje fizike, teksa punonjësit e shtetit kanë përdorur çdo mjet për të mos lejuar qytetarët që të futeshin në sallën e Kuvendit. Situata e krijuar po monitorohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Ne kemi çdo shpresë dhe pritshmëri që çdo mosmarrëveshje politike në Korenë e Jugut do të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit", tha zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell.

Kjo edhe për faktin se rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t'u mbrojtur kufirin që vendi ndan me Korenë e Veriut, e cila sundohet nga Kim Jong Un. Edhe pse mediat e huaja kanë tentuar disa jerë që të kontaktojnë, nuk kanë pasur asnjë përgjigje nga komanda ushtarake amerikane lidhur me gjendjen e vendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB