
DURRËS- Një përplasje ndodhi mesditën e sotme mes banorëve të zonës së Rromanatit në Durrës dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, ku nuk munguan as shoqërimet. Në një nga pamjet e publikuara në media shihet kur efektivët blu po shoqëronin forcërisht një të moshuar, pjesë e familjes Kapllani, të cilët janë në proces gjyqësor për një pronë me familjen Shaba.
Kryefamiljari Ramazan Kapllani u shoqërua po ashtu në polici. Kapllani tha para kamerave, se e vërteta është se në këtë pronë ka patur një mbivendosje pronarësh. Sipas tij çështja është ende në proces gjyqësor, ndërsa pretendon se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga IKMT.
“Rruga është ngjitur me tokën time. 12 metra rrugë ka bërë mbivendosje Xheladin Shaba bashkë me dy -tre persona në bashki. Unë kam hartat i kam të gjitha, ajo ka 34 vite është tokë e babës me 7051. IKMT-ja nuk erdhi fare të më njoftonte, sot i kërkova dokumentet e vendimit, as nuk më ka dhënë asgjë. I thash të më bëjnë një procesverbal se çfarë po prishnin, as atë nuk e bën. Më kapën më lidhën duart e më çuan në polici. Çështja po shqyrtohet edhe në SPAK edhe në Prokurorinë e Durrësit. U thash të presin vendimin, sot erdhën pa lajmëruar fare. Është bërë hataja e madhe këtu, kanë shkatërruar komplet pronën në dy krahët e shtëpisë”, -tha Ramazan Kapllani, për euronews.
Sherri ka nisur për një pronë, e cila është në proces gjyqësor prej kohësh mes dy familjeve Kapllani dhe Shaba. Familja Kapllani tregon se është tokë që e kanë përfituar që në vitet 90’, ndërsa familja Shaba i ka bërë legalizimin në vitin 2013, ndaj edhe sot ka ndërhyrë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit për hapjen e rrugës./ZËRI