TIRANË-Një urdhërarrest i lëshuar nga SPAK në dhjetor të vitit 2025, u finalizua sot me arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi në Durrës. Muaj në arrati por emri i tij vazhdoi të përflitej dhe të rezultonte në dosjen e hetimit nga SPAK lidhur me aferën e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Kreu i skemës ishte Ergys Agasi!
Agasi djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, Ergys Agasi fillimisht u angazhua në Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) dhe më pas në Partinë Socialiste, duke mbajtur poste në administratë si drejtues i Inspektoratit të Mjedisit.
Ergys Agasi rezulton të jetë futur në tregun e AKSHI-t në mars 2023 duke regjistruar në emrin e tij, kompaninë “EA Solution” me NIPT M31516009A me adresë “Rruga; Ismail Qemali”, pallati Hersi, Kati 2, Hyrja Nr. 6, Tiranë.
Agasi e mban vetëm një vit kompaninë në këtë adresë dhe transferon zyrat pikërisht…në adresën: Rruga “Hoxha Tahsim” Pallati 152, Hyrja 1, Kati 2, Tiranë. Është pikërisht e njëjta adresë ku edhe ka zyrat z.Beqiri dhe kompania “Soft & Solution”.
Dokumentet tregojnë se EA Solutions, kompania e Ergys Agasit, është themeluar në mars të vitit 2023 dhe ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro. Për ta thënë thjesht: kompania ka shpenzuar rreth 8 mijë euro në muaj, por fitimet i ka 23 herë më të larta se shpenzimet.
Me ‘duart’ në AKSHI, pasuria ishte marramendëse. Në kuadër të hetimeve, biznesmenit Ergys Agasi iu sekuestruan në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution. Vetëm në Tiranë i janë sekuestruar 7 pasuri të llojit pyll dhe ndërtesave 1 dhe 2 katëshe në to në zonën e Petrelës, një pasuri e llojit truall në Lundër, si dhe 6 partamente dhe 7 garazhe. Ergys Agasit i sekuestrohen gjithashtu edhe disa pasuri në Durrës, mes të cilave sipërfaqe truall, një ndërtesë dhe një apartament. Një tjetër truall dhe ndërtesë në bregdetin e Vlorës, në Gjilekë, një automjet Land Rover defender 2023 si dhe tre llogari bankare. Në mesin e asetevë të sekuestruara është edhe një pjesë e "Equos Resort".
Zhdukja e koleksionit të verave
Çështja ka të bëjë me një kantinë vere, ku ndodhej koleksioni shumëvjeçar “Petrvs Pomedol” i cili u zbulua nga agjentët e BKH-së në vilën e Agasit, por shishet e verës të lëna në ruajtje për t'u sekuestruar nuk u gjetën më. Bëhet fjalë për 600 shishe verë të markave të shtrenjta, të cilat rezultojnë të zhdukura brenda 24 orëve nga ambientet e vilës në periferi të Tiranës ku ndodheshin të depozituara. Eno Agasi, djali i xhaxhait të Ergys Agasit, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka larguar verën dhe serverin e kamerave gjatë natës. Dëmi ekonomik llogaritet mbi 1.3 milionë euro, ndërsa SPAK do të verifikojë nëse ka pasur shpërdorim detyre ose përfshirje të organizuar në zhdukjen e mallit.
Agasi është akuzuar publikisht edhe nga ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj edhe për lidhje të drejtpërdrejta me bandat kriminale në Durrës. Sipas raportimeve të ndryshme, ai ka pasur kontakte me elementë të botës së krimit, të cilët janë të lidhur me rrjetet e trafikut dhe të influencës politike në qytetin bregdetar.
Asokohe Agasi i konsideroi thashetheme akuzat e Ahmetajt dhe shtoi se nuk ka asnjë funksion në Partinë Socialiste dhe asnjë post në qytetin e Durrësit, ku ushtron veprimtarinë e tij si biznesmen.




