TIRANË-Një operacion i ndërmarrë në pesë qytete të Shqipërisë, për të goditur mashtrimet online për investimet në platformat online XEUX dhe TXEX, zbuloi se mijëra qytetarë ranë pre e mashtrimit tipik 'Ponzi'. Por çfarë është kjo skemë, që preku vendet europiane dhe SHBA-në, për të cilën u shkruan edhe romane?
Pas saj qëndron emigranti italian Charles Ponzi, të cilin jeta univeristare pa para e shtyu drejt një 'karriere' fitimprurëse.
Charles Ponzi-Mbreti i Piramidave
Charles Ponzi është një nga mashtruesit më të famshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara. I lindur në Lugo, Itali më 3 mars 1882, ai emigroi në SHBA në vitin 1903. Në Boston, ku jetoi, ai orkestroi një nga mashtrimet më famëkeqe në botë. Gjatë gjithë jetës së tij, ai u përfshi në një sërë mashtrimesh nga të cilat fitoi miliona dollarë. Disa nga incidentet e para të regjistruara për të përmbushur përkufizimin modern të skemës Ponzi u kryen nga 1869 deri në 1872 nga Adele Spitzeder në Gjermani dhe nga Sarah Howe në Shtetet e Bashkuara në vitet 1880 përmes "Depozitës së Zonjave". Howe i ofroi një klientele vetëm femra një normë mujore prej 8% dhe më pas vodhi paratë që gratë kishin investuar.
Si filloi
Charles Ponzi lindi në një familje italiane të klasës së mesme dhe që nga fëmijëria shfaqi prirje kriminale, duke vjedhur shpesh nga prindërit dhe priftërinjtë e lagjes, sipas therichest. Ponzi filloi të frekuentonte Universitetin e Romës, La Sapienza, ku filloi të shoqërohej me studentë të pasur. Si pasojë, mbeti pa para brenda katër viteve, gjë që e bëri atë të braktiste universitetin. Më në fund u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në 1903, duke kërkuar një karrierë fitimprurëse. Në vitin 1919, Ponzi shfrytëzoi rastin për të shfrytëzuar “kuponët ndërkombëtarë të përgjigjes postare”. Në atë kohë, këto kuponë mund të bliheshin në një vend dhe t’i këmbeheshin me pulla në një vend tjetër. Dizajni kishte për qëllim të lehtësonte postën ndërkufitare.
Ponzi e kuptoi se mund t’i blinte këto kuponë në vende me monedha të dobëta dhe t’i arkëtonte ato në Shtetet e Bashkuara për një fitim. Ai e quajti sipërmarrjen e tij “Stock Exchange Company” dhe filloi të kërkonte investime. Në këtë mashtrim, Ponzi u premtoi investitorëve fitime të mëdha në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ideja ishte blerja e shkëmbimeve ndërkombëtare të monedhës dhe shitja e tyre në Amerikë me një fitim. Megjithatë, burimi real i të ardhurave për skemën ishte kthimi i parave nga investitorët e rinj tek investitorët më të vjetër, pa bërë ndonjëherë ndonjë blerje dhe shitje të monedhave. Mashtrimi fillimisht ishte i suksesshëm dhe Ponzi ishte në gjendje të mblidhte miliona dollarë nga investitorët.
Arrestimi
Ponzi nuk kishte bazë ligjore dhe se investimi në skemë ishte jashtëzakonisht i rrezikshme. Investitorët u përpoqën të tërhiqnin paratë e tyre, por Ponzi nuk mundi t’i kthente paratë e tyre për shkak të fondeve të pamjaftueshme. Ai u përpoq të shmangte fatkeqësinë duke paguar disa investitorë dhe duke siguruar të tjerët se paratë e tyre ishin të sigurta. Megjithatë, numërimi mbrapsht kishte filluar tashmë pasi autoritetet filluan shpejt një hetim për biznesin e tij.
Në gusht 1920, zyrtarët shtetërorë dhe federalë bastisën zyrat e Shoqërisë së Bursës, duke i dhënë fund në mënyrë efektive skemës Ponzi. Autoritetet arrestuan dhe akuzuan Ponzin për akuza të shumta mashtrimi. Ai përfundimisht u deklarua fajtor, duke u dënuar me 5 vjet burg. Pas lirimit të tij, Ponzi u kthye në Itali, ku vazhdoi të përfshihej në mashtrime të ndryshme që përfshinin qeverinë e Musolinit në Itali. Ai dha frymën e fundit në Rio de Zhaneiro më 18 janar 1949, me një pasuri prej vetëm 75 dollarësh.
Skema Ponzi ishte përshkruar më parë edhe në romane; Romani i Charles Dickens i vitit 1844 Martin Chuzzlewit dhe romani i tij i vitit 1857 Little Dorrit kanë të dyja një skemë të tillë. Skema ka frymëzuar libra dhe filma dhe është mësuar në shkolla si një shembull se si dëshira për fitime të lehta mund të çojë në mashtrim dhe humbje parash.
Me kalimin e viteve skema Ponzi vijon të shfaqet, ku së fundmi është aplikuar në Shqipëri./ZËRI