Aktualitet

'Është jashtë vendit...po të jetë i çmendur do të dorëzohet', sot i shkoi në qeli, çfarë deklaronte avokati i Agasit para arrestimit

Asokohe nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, avokati deklaronte se Agasi ndodhej jashtë vendit, për të lidhur një marrëveshje në fushën e biznesit, duke lënë të hapur opsionin se biznesmeni do të dorëzohej.

F.I
'Është jashtë vendit...po të jetë i çmendur
Ergys Agasi dhe Maks Haxhia

TIRANË-Avokati Maks Haxhia ka takuar sot Ergys Agasin vetëm disa orë pasi biznesmeni u transferua te Blloku i Sigurisë. Mbrojtja e Agasit ka kërkuar dosjen hetimore dhe po kryen përgatitjet për procein lidhur më arrestin. Por teksa sot deklarata se Agasi nuk ka mbajtur post shtetëror dhe nuk ka prekur financat publike vjen nga Blloku i Sigurisë në Tiranë, më herët avokati Maks Haxhia deklaronte nga SPAK se Agasi ndodhej jashtë vendit për biznes.

Gjatë kohës që Agasi ishte shpallur në kërkim, Haxhia në dhjetor të 2025 u paraqit në SPAK për t’u njohur me dosjen dhe aktet në ngarkim të klientit të tij. Asokohe nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, avokati deklaronte se Agasi ndodhej jashtë vendit, për të lidhur një marrëveshje në fushën e biznesit, duke lënë të hapur opsionin se biznesmeni do të dorëzohej.

"Klienti im nuk është larguar, po lidh një marrëveshje biznesi jashtë vendit, kur të kthehet do të përballet me drejtësinë. Është e çuditshme, që publikimi i këtyre të dhënave kompromentohet nga zhvillimet politike. Një njeri me nivel mesatar, e kupton kompromentimin e SPAK, në këtë çështje. Kur nuk është politikan, çfarë lidhje ka ai me emërimet dhe me shkarkimet. Këto që thoni ju i thotë SPAK, Zoti Agasi nuk e njeh fare personin për të cilin pretendohet se është marrë peng,"-shprehej Haxhia.

Një muaj më vonë në janar, Haxhia u paraqit sërish në Gjykatën e Posaçme, ku kërkonte materialet e dosjes në ngarkim të klientit të tij, Ergys Agasi. Avokati tha se vetëm nëse është ‘i çmendur’, Agasi do të vinte që të dorëzohej. 

“E kini shumë problem këtë pyetje, dhe do ju jap këtë përgjigje. Zoti Agasi, me informacionin që kam nga familja, nuk ndodhet në Shqipëri. Mbarset opinioni dhe ngrihet akuza për një person, që nuk ka qenë ndonjëherë i veshur me pushtet. Zoti Agasi i ka mbaruar punët e veta, por në këto kushte vetëm po të jetë një njeri, që do të hedhë çelësat në det, mund të vijë në Shqipëri. Është vendim i tij për të ardhur apo jo, por në kushtet që nuk ka asnjë provë dhe asnjë informacion, dhe asnjë material për provat kundër tij, vetëm po të jetë i çmendur mund të vijë dhe të paraqitet”, u shpreh avokati.

Sot pas muajsh në arrati, Agasi u arrestua në Shqipëri në zonën e Plepave në Durrës, ndërsa avokati i tij Maks Haxhia hodhi poshtë akuzat e ngritura nga SPAK ndaj klientit të tij. Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’./ZËRI

Poll

MOS HUMB