TIRANË- Banorët e Durrësit dhe ato Rrjollit janë grumbulluar së bashku përpara Kuvendit të Shqipërisë, pak përpara nisjes së seancës, duke protestuar për pronat e tyre. Qytetarët e revoltuar, akuzojnë Belinda Ballukun dhe kryeministrin Rama se po u vjedhin pronat.
“Me këtë që po bën ky hajduti, bashkë me Belinda Ballukun (kriminele) vetëm një gjë të dijë, do ti vijë dita të ikë i pari, i dyti dhe të ikë vetë bashkë me ata basdarda parlamentar socialistë që rrinë atje dhe ngrenë kartonin me të padrejtë”, tha një banore.
Qytetarët janë mbledhur, sipas tyre, për të kërkuar të drejtat për pronat e tyre. Banorët e Durrësit dhe ata të Rrjollit, pretondojnë se po u zaptohen pronat e tyre, për t'i hapur hapësirë ndërtimit të projekteve. Banorët e Rrjollit kanë lëshuar akuza në drejtim të Belinda Ballukut se me firmën e saj u dha leje për ndërtimin e një resport, në pronat e tyre.
Protestës së qytetarëve i është bashkuar edhe kreu i Partisë Mundësi, Agron Shehaj. Ky i fundit u bëri thirrje pronarëve që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre duke u siguruar se kanë mbështetjen e tij. Sipas Shehajt, pronat nuk i vjedh vetëm oligarku, e vjedh oligarku me klasën e korruptuar politike që kemi në Parlament.
“Kjo është një çështje në fakt politike sepse pronat nuk i vjedh vetëm oligarku, e vjedh oligarku me klasën e korruptuar politike që kemi në Parlament. Askush nuk ua vjedh dot pronat pa lejen e tyre, janë ortakë.
Në lidhje me pronat njerëzit janë lodhur dhe mund të heqin dorë, por mos u dorëzoni. Ne do të na keni në krahë kurdo që të kërkoni të drejtën tuaj”, tha Shehaj.
Banorët e Rrjollit prej disa ditësh kanë protestuar duke kundërshtuar ndërtimet në pronat e tyre. Po ashtu, edhe qytetarë të Durrësit protestuan pak ditë më parë para Bashkisë, teksa mes tensioneve, ndërprenë edhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak./ZËRI