Aktualitet

SPAK heq nga mbrojtja vëllain e vogël të Nuredin Dumanit, Fitimi tregon kushtin: Do kthehesh vetëm nëse...

Edhe pse nuk i është dhënë një shpjegim, ai thotë se mund ta rikthejnë në program vetëm nëse pendohet Dashnor Dumani, vëllai tjetër i tij.

zh.ll
SPAK heq nga mbrojtja vëllain e vogël të Nuredin Dumanit, Fitimi
Ilustrim: Nuredin Dumani - Fitim Dumani "Ma Shqip"

TIRANË- Fitim Dumani, vëllai i vogël i vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, është përjashtuar nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, ndërsa ka rrëfyër se për këtë nuk i është dhënë asnjë shpjegim. Në një rrëfim tronditës dhe ekskluziv për “Ma Shqip” me Flamur Vezaj, Fitimi ka rrëfyer vështirësitë pa përjshtimit, siç është ajo e pamundësisë për të takuar fëmijët e tij, të cilët janë në program. Edhe pse nuk i është dhënë një shpjegim, ai thotë se mund ta rikthejnë në program vetëm nëse pendohet Dashnor Dumani, vëllai tjetër i tij. Ky është kushti i SPAK sipas tij, e megjithatë kjo nuk është diçka e sigurt dhe as nuk dihet se kur mund të ndodhë, pasi për momentin vëllai nuk ka pranuar të bashkëpunojë. Ndër të tjera, ai ka zbuluar se as familja e ngushtë e Nuredin Dumanit, bashkëshortja dhe fëmijët e tij, nuk janë nën ruajtje nga shteti shqiptar, pasi kanë ikur jashtë shtetit dhe kanë marrë azil.

“Në program janë vetëm dy pleqtë e mi, nëna e babai, dhe bashkëshortja ime me vajzat. Familja e Nuredinit, gruaja me fëmijët, nuk është në program pasi ka ikur jashtë shtetit dhe ka marrë azil, nuk ruhen nga shteti shqiptar. Ndërsa motra iku jashtë, kërkoi azil, por edhe pse SPAK i tha se do ta ndihmonte, ajo nuk e fitoi azilin. Gjithashtu edhe familja e Dashnor Dumanit nuk është në program, janë hequr pasi po i bëjnë presion vëllait të bëhet i penduar,” thotë Fitim Dumani për “Ma Shqip” me Flamur Vezaj.

Fitimi thotë se familja e tij rrezikon në çdo moment, pasi sipas tij, nuk ka agjentë që t'i ruajë. Madje, ai thotë se persona të shpallur në kërkim shkojnë e takojnë familjarët e tij, ndërsa agjentët janë të dehur ose nuk kanë armatim. Ai shton se ata nuk janë as të përgatitur, madje edhe kur Nuredin Dumani shkonte në vendngjarje gjatë kohës së mbledhjes së provave, policët i jepnin pistoletë.

“Policët i thonë në telefon: të vijmë sot apo jeni në rregull? Pra nuk rri njeri aty t’i ruajë. E di ti që kanë shkuar e i kanë takuar prindërit e mi persona që janë në kërkim. Ata nuk duan më t’i vrasin se në çdo moment i vrasin, pasi policia nuk ofron siguri, janë vetëm për t’u kontaktuar, thonë agjentët. Ore, e kupton ti se kur Nuredinin e dërgonin nëpër vendngjarje apo spital, i jepnin pistoletë në dorë, i thonin ‘mbaje ta kesh, se ti di ta përdorësh më mirë se ne, që të ruash veten’, e kupton ti,” thotë Fitimi.

I alarmuar për jetën e tij, Fitimi thotë se për këtë ka folur edhe më kreun e SPAK, Altin Dumanin, por nga ky i fundit ka marrë vetëm premtime boshe. Për përjashtimin nga programi i mbrojtjes, Fitimi tregon se dikur e mbanin me dhunë aty, ndërsa sot e nxorrën dhe i vendosin kusht që të pendohet vëllai i tjetër. Ai shprehet si sigurtë se SPAK-u nuk po e ndihmon familjen e tij, por e po e përdorin Dumanin për të dëshmuar, dhe kjo sipas tij nuk është drejtësi por propagandë, 

“E kam takuar Altin Dumanin, se urdhëroi të shoqërohet me forcë brenda në burg kur më morën në mbrojtje dhe më tha ‘mos ke merak’. Por pas gati dy vitesh më përjashtojnë nga programi pa më thënë asgjë dhe as të më japin shpjegim. Ka shkuar babai e nëna disa herë e ka folur edhe Nuredini, por hiç – premtime bosh. Kur doja të mos më mbanin në program, më mbajtën me dhunë, tani që dua më nxorën duke bërë presion të pendohet vëllai tjetër.  Nuredini ka thënë të vërtetën për të gjithë ata që ka bërë dhe ai varet nga këmbët e veta. Unë s’kam lidhje me dëshminë e tij, por SPAK nuk po bën drejtësi, vetëm propagandë,” tha Fitim Dumani.

Poll

MOS HUMB