
TIRANË- Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku përfshihet Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka kërkuar që Kuvendi të rishikojë ndarjen e buxhetit. Prokurori Alfred Shehu, i pranishëm në Komisionin e ligjit bëri një ballafaqim të parashikimit të buxhetit nga ana e SPAK dhe të buxhetit të miratuar nga ana e Kuvendit. Sipas Shehut, ka një diferencë prej 1 milion e 300 mijë lekësh, më pak nga çfarë kishin parashikuar. Shehu theksoi se buxheti ka prekur dhe pagat.
Pjesë nga replikat:
Alfred Shehu: Përshëndetje të gjithëve, është realizuar projektimi i kërkesave buxhetore për buxhetin e vitit 2025 si pjesë e programit buxhetor afatmesëm 2025-2027 për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku përfshihet Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Në parashikimet buxhetore për këtë vit, edhe pse është reflektuar shqetësimi ynë lidhur me fondet buxhetore, përsa i përket shpenzimeve kapitale, investimeve, nuk janë marrë në konsideratë kryesisht kërkesat shtesë lidhur me pagat por gjithashtu do të ishte e nevojshme dhe një plotësim i plotë i kërkesave në zërat e tjerë. Konstatohet se në artikuj të ndryshëm, diferenca nga kërkesa jonë me ato të miratuara ka të bëjë për pagat në shumën 349 milionë lekëve. Një diferencë tjetër ka të bëjë me shumën 21 milionë lekë për zëra të tjerë dhe në korente të tjera kemi diferencën 1 milion e 300 mijë lekë. Në total, diferenca bazuar në kërkesat tona është në shifrën 198 milion lekë. Në zërin shpenzime për pagat për vitin 2025, kërkesat buxhetore të paraqituira nga SPAK janë në shumën 1.553 milion lekë, ndërkohë që parashikimi në projektbuxhet është në shumën 1.185 milion lekë, rreth 349 milion lekë më pak. Kërkojmë që të reflektohet kjo shumë, kjo diferencë prej 349 milion lekësh.
Deputeti Saimir Hasalla: Buxheti i parashikuar për SPAK është rreth 2.17 miliard lekë, nga të cilat 1.32 miliard lekë shpenzime për pagat dhe sigurime shoqërore, 248 milion lekë shpenzime për mallra dhe shërbime, 600 milion lekë shpenzimet për investime. Janë rritur me 19.6% më shumë.
Klotilda Bushka: Mesa kuptoj, SPAK ka sjellë një letër që detajon të gjitha kërkesat. Pra kuptohet që janë adresuar nevojat e Strukturës së Posaçme. Janë tre zëra që kërkohen, pagat për stafet që do t’i vijnë në funksion SPAK, një tjetër për godinën e re dhe një tjetër për pajisjet. Pjesa e shërbimeve dhe funksioneve është një detyrim ligjor, është bërë një shtesë peej 11 punonjëssish. Ajo që kërkon SPAK është që trajtimi financiar të bëhet sipas një modeli. Është bërë ky diskutim midis jush?
Gentian Opre: Për pjesën e pagavë duhet të bëjmë një rakordim final me SPAK sepse në llogaritë tonë paraprakisht themi që jemi në nivelet e akomodimit normal të plotë. Por jemi të hapur të akordojmë në mënyrë që alokohet shuma e kërkuar. Së bashku me shpenzimet operative jemi të hapur. Përsa i përket investimeve u tha dhe nga drejtuesi i institucionit që ka një mosrealizim i investimeve në vitin 2024 dhe është marrë parasysh që ky investim të mbartet këtë vit. Gjithsesi do ta rishikojmë mundësinë për të pasur shtesë.
Gazment Bardhi: SPAK do të marrë dhe detyrën e Komisionerit Publik dhe përveç shpenzimeve që do t’i duhet për shtim stafi për të kryer këtë detyrë të re kushtetuese, ligji parashikon që do të duhet të ketë edhe një fazë tranzitore të institucionit të Komisionerit Publik, të administratës për të kryer transferimin e detyrës që parashikohet të jetë 6 muaj, 3 muaj, 9 muaj këtë do të duhet ta vlerësojmë të gjithë bashkë. A ka parashikim në buxhet për fondet që i duhet për këtë periudhë tranzitore kësaj pjese të administratës, pra Sekretarit të Përgjithshëm dhe një pjesë të stafit ndihmës që ata mendojnë që do të duhet të jetë, sipas shkresës zyrtare që kanë sjellë në Komision, duhet të jetë rreth 16 punonjës, a ka parashikim në buxhet për këtë? Parimet kërkojnë që kërkesat të paraqiten nga qeveria ashtu siç janë paraqitur. Qeveria nuk ka punë, është Kuvendi që duke marrë dhe mendimin e Ministrisë së Financave, vendos ta përfshijë apo jo kërkesën. Por kjo që ndodh që Ministria e Financave përcjell më pak se ç’është kërkuar, nuk përbën as më shumë e as më pak se cënim të institucioneve të drejtësisë.