KORÇË- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr.14 në qytetin e Korçës, ku një 20-vjeçar ka mbetur i vrarë.
Viktima është identifikuar si Johan Zuko, i cili dyshohet se ishte pjesë e Forcave të Armatosura. Sipas informacioneve paraprake, është ndjekur nga autori i dyshuar, ndërsa në përpjekje për t’u shpëtuar të shtënave, është fshehur në hyrjen e një apartamenti.
Autori dyshohet se e ka gjetur 20-vjeçarin dhe e ka qëlluar me kallashnikov. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i krimit dhe ndodhet në arrati.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë, pritet njoftimi zyrtar i Policisë për të dhënë më shumë detaje mbi ngjarjen.