TIRANË-Biznesmeni Ergys Agasi i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me aferën e tenderave të AKSHI-t u arrestua mbrëmjen e djeshme (26 gusht) në Durrës. Bashkë me të u vendos në pranga edhe ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku, i cili e shoqëronte në makinë. Në momentin e arrestimit në zonën e Plepave në Durrës, në automjetin e tyre u gjet një kuti e kuqe, një çantë dhe një celular në pjesën e vendit te këmbët e pasagjerit.
Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe e ndoqën atë deri në zonën e Plepave në Durrës, ndërsa në makinë ndodhej po ashtu edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
ZËRI ndau pamjet hap pas hapi nga arrestimit i tij, deri në shoqërimin në ambjentet e Bllokut të Sigurisë në Tiranë. Agasi u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku agjentët e BKH-së mbërritën menjëherë për ekzekutimin e masës së arrestit me burg. 3 orë pas përfundimit të procedurave, Agasi u dërgua në Bllokun e Sigurisë, ku do të qëndrojë 48 orë derisa të dalë para GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Ndërkohë ish-zyrtari Uljan Shpataraku, u shpall në kërkim me 6 gusht pasi kërcënoi me jetë stafin e një hoteli në Dhërmi, sepse nuk i pëlqeu shërbimi. Shpataraku u arrestua për ‘përkrahje të autorit të krimit’, pasi po lëvizte në automjet me Agasin. Mbrëmjen e djeshme Policia ka ushtruar gjithashtu kontrolle në banesën e Shpatarakut, pas shoqërimit të tij në komisariat.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi edhe njoftimin zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, duke zbardhur dinamikën e operacionit, akuzat e rënda penale që rëndojnë mbi të, si dhe periudhën e saktë se kur ai është caktuar me masë arresti në burg.
