
TIRANË- Ervis Daka, 38 vjeç, Maksim Koçi 39 vjeç dhe Ado Xhika 40 vjeç bashkëpuntorë të të shumëkërkuarit të drejtësisë, Talo Çela do të ekstradohen nga Dubai në Shqipëri.
Daka është një prej personave që ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë Talo Çelës si dhe ka luajtur rolin e vëzhguesit dhe informatorit në vrasjen e Kei Pikut. 38-vjeçari gjithashtu ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Arjan Spahiut.
Ndërsa Maksim Koçi akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Klevis Kapllanit si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e dy personave të tjerë.
Ado Xhika akuzohet se ka ndihmuar personat që kryen atentatin e fundit me snajper kundrejt Ardian Çapjas. Ai gjithashtu ka shoqëruar një gazetar me qëllim intervistimin e Talo Çelës.
Njoftimi i policisë;
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë gjurmë nga Talo Çela që prej arrestimit të Nuredin Dumanit. Emri i tij lakohet si pjesëmarrës në një sërë krimesh, por deri më tani nuk është përballur me drejtësinë dhe ka pasur teori të shumta, qoftë për vrasjen apo vetëzhdukjen e tij./ZËRI