DIBËR- Një punonjës i policisë së Dibrës është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një të rritur dhe ka shpërdoruar detyrën. Pak ditë më parë, shtetasja me inicialet L.H. ka kallëzuar punonjësin e policisë shtetasin J.U, duke pretenduar se ai, përmes shantazhit dhe kërcënimit, e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë.
AMP ka kërkuar të hetohen edhe dy shtetas të tjerë, një burrë dhe një grua. Sipas informacioneve, të dy kanë qenë në dijeni dhe kanë përkrahur punonjësin e policisë në lidhje me ngjarjen. Ndalimi i tij është bërë në pikën kufitare me Kosovën, pasi ai ishte larguar nga vendi drejt Kosovës për disa ditë.
NJOFTIMI I POLICISË
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës–Dibër) ka ndaluar punonjësin e policisë, Inspektor J.U., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale nën/Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Dibër, dhe aktualisht me detyrë nën/Specialist në Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 102 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 17.11.2025, pas kallëzimit të shtetases L.H., e cila pretendon se punonjësi i policisë, nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, AMP ka dërguar materiale procedurale shtesë edhe për shtetasen M.U., të dyshuar për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, parashikuar nga neni 311 i Kodit Penal, si dhe për shtetasin A.K., të dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit në krim”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Pas hetimeve me metoda speciale hetimi, u konstatua se punonjësi i policisë ishte larguar në Republikën e Kosovës, dhe ditën e sotme u bë i mundur ndalimi i tij nga agjentët e AMP-së në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë./ZËRI