Aktualitet

U shkarkua pas procesit të Vettingut në 2020, Adnand Kosova fiton në Strasburg: Shqipëria duhet t’i paguajë prokurorit 11 mijë €

Strasburgu i ka dhënë të drejtë ish-prokurorit, duke vlerësuar se shkarkimi i tij nga detyra ishte joproporcional

F.I

U shkarkua pas procesit të Vettingut në 2020, Adnand Kosova fiton

TIRANË-Prokurori Adnand Kosova, i shkarkuar nga Vettingu në vitin 2020, ka fituar çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në vendimin e zbardhur Strasburgu i ka dhënë të drejtë ish-prokurorit, duke vlerësuar se shkarkimi i tij nga detyra ishte joproporcional dhe se autoritetet shqiptare nuk dhanë arsye “relevante dhe të mjaftueshme” për këtë masë.

Çështja lidhej me shumën e përfituar nga shitja e një apartamenti në Korçë, të ardhurat e të cilit ishin përdorur për blerjen e apartamentit të familjes në Tiranë. Në kontratën e vitit 2002 figuronin 1 milion lekë, ndërsa Kosova kishte deklaruar se çmimi real i shitjes ishte 2.5 milionë lekë. Sipas tij, 1.5 milionë lekë ishin marrë më herët si depozitë.

Në shqyrtimin e çështjes, GJEDNJ vlerësoi se KPA kishte ndjekur një qasje mjaft formale, duke e trajtuar kontratën e shitjes si të vetmen provë të besueshme. Strasburgu vëren se nuk ishte marrë parasysh fakti që sipas ligjit vendas marrëveshja e depozitës nuk duhej domosdoshmërisht të ishte me shkrim, si dhe të dhënat për çmimet e tregut të pasurive në Korçë në atë periudhë.

Gjykata vuri në dukje gjithashtu se faktet që duhej të provoheshin kishin ndodhur rreth 20 vjet më parë, përpara miratimit të ligjit të vitit 2003 për deklarimin e pasurive, çka krijonte vështirësi shtesë për rindërtimin e provave dokumentare.

Gjykata vlerësoi se, nëse Kosova e kërkon, do të ishte e përshtatshme që procedura e Vettingut të rihapej dhe çështja të rishqyrtohej në përputhje me kërkesat e nenit 8.

Shqipëria duhet t’i paguajë Adnand Kosovës 6 mijë euro për dëm jomaterial dhe 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet e procedurës.

Poll

MOS HUMB