Aktualitet

Vdekja e Doriana Hakës, familja priti 11 vite për drejtësi. Dy mjekët nuk do të vuajnë asnjë ditë burg

Gjykata ka dhënë vendimin për dy mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar lidhur me rastin e vdekjes së Doriana Hakës bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit Alban Hoxha

E.K
Vdekja e Doriana Hakës, familja priti 11 vite për drejtësi. Dy
doriana haka, alban hoxha dhe djali i tyre

TIRANË- 11 vite pritje i janë dashur familjes së Doriana Hakës, për të gjetur ‘drejtësi’ për vdekjen e saj, 2 javë pasi kishte sjellë në jetë të birin, fryt i dashurisë me portierin Alban Hoxha. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka dhënë sot dënimin për dy mjekët që janë gjetur fajtor për vdekjen e të resë, ngjarje e ndodhur kjo në vitin 2011.

Apeli ka dënuar me 6 muaj burg kirurgun Petrit Rexhepi, dënim i cili për shkak të moshës mbi 70 vjeç do ti konvertohet në shërbim prove për 1 vit. Nga ana tjetër Gjykata ka dënuar me 1 vit burg reanimatoren Elona Burba, dënim i cili do t'i konvertohet në 2 vite shërbim prove dhe pezullim licence për një periudhë 2-vjeçare.

Familja Haka nisi një përballje ligjore me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni” që në vitin 2014 pasi humbën të bijën. Ata akuzojnë mjekët si përgjegjës për humbjen e jetës së Dorianës. 

Hamide dhe Enver Haka, prindërit e të ndjerës, prej njëmbëdhjetë vitesh janë zvarritur në dyert e Gjykatave për të zbardhur vdekjen e vajzës së tyre.

Në seancën e fundit, Hamide Haka shpërtheu në lot dhe dhimbje, duke kërkuar që gjyqtarët të mos lënë pa u dëgjuar zërin e saj. “Më djeg shpirti, më dhemb zemra. Fëmija i Dorit po rritet pa nënë. Dua vetëm drejtësi, asgjë më shumë,” tha ajo para trupës gjykuese.

Edhe Enver Haka shprehu zhgënjimin e tij për vonesat e pafundme të sistemit gjyqësor. Ai u shpreh se çdo shtyrje e seancave është një plagë e re për familjen e tij, por theksoi se nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën. “Do të vazhdoj derisa të kem frymë, nuk dorëzohem pa drejtësi,” tha ai.

Për tre vite me radhë çështja u mbajt në sirtaret e Gjykatës së Apelit, duke u shtyrë vazhdimisht.

Doriana Haka ndërroi jetë në nëntor të vitit 2014, vetëm dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë. Ajo ishte bashkëshortja e ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Vdekja e saj mbetet një plagë e hapur për familjen, por edhe një çështje e pazgjidhur në sistemin shqiptar të drejtësisë.

Prindërit e saj e konsiderojnë procesin jo vetëm një betejë personale, por edhe një thirrje për të gjithë prindërit që humbin fëmijët e tyre nga papërgjegjësia mjekësore. “Drejtësi, vetëm drejtësi kërkojmë. Është e vetmja gjë që na ka mbetur pas humbjes së Dorit,” u shprehën prindërit në seancën e mbajtur në Shtator të këtij viti. /ZËRI

Poll

MOS HUMB