ITALI- Detaje të tjera, mes tyre edhe autori, mbeten për t'u zbuluar për vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar, Hekuran Cumani, në Itali. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 18 tetorit, në një parking makinash në Perugia, ku po kalonte mbrëmjen me disa miq.
Sipas La Repubblica, hetuesit e kanë identifikuar tashmë autorin e krimit: një i ri me origjinë tuniziane, pjesë e një grupi tjetër të rinjsh. Disa të tjerë janë regjistruar tashmë si të dyshuar, të cilët janë marrë në pyetjr në stacionin e policisë menjëherë pas përleshjes. Grindje, sulme dhe kërcënime janë krimet e dyshuara.
Me sa duket, sherri midis dy grupeve filloi brenda klubit të natës 100Dieci në Perugia, një vend ku hyhej përmes një detektor metalesh, raporton Repubblica. Prandaj, është e pamundur që thika me të cilën u godit Hekurani në gjoks të ketë hyrë në klubin e natës. Kamerat e brendshme të sigurisë së klubit gjithashtu nuk arritën të jepnin ndonjë informacion të dobishëm për hetimin.
Sipas të gjitha gjasave, grindja, e cila shpërtheu midis dy grupeve - atij nga rajoni i Marche-s me viktimën dhe tjetrit vendas - vazhdoi për arsye banale dhe u përshkallëzua në një përleshje dhe më pas në një vrasje jashtë lokalit, ku megjithatë nuk ka kamera sigurie. Atje, në parkingun përpara departamentit të matematikës të Universitetit të Peruxhias, 23-vjeçari nga Fabriano u godit me thikë.
Arma e vrasjes, qoftë e sjellë nga vrasësi ose e gjetur në një makinë, ende nuk është gjetur. Dhjetëra persona janë marrë në pyetje gjatë gjithë natës, të koordinuar nga zyra e prokurorit në kryeqytetin e Umbrisë. Midis tyre është edhe Samueli, vëllai i viktimës, i cili gjithashtu u plagos lehtë në përleshje./ZËRI

