
DURRËS- Pas zbardhjes së ngjarjes në Durrës, ku Majlind Habibi vrau shokun e tij Brako Shkoza, janë shfaqur tensione mes dy familjeve, të cilë janë fqinjë. Policia e Durrësit ka ndërhyrë për të qetësuar të afërmit e viktimës. Habibi u arrestua dje nga Policia e Durrësit pasi ai shtyu për vdekje Shkozën në kanalin e ujërave të zeza. I riu dëshmoi se Shkoza i ngacmonte gruan dhe kur i kërkoi që të mos e bënte më, ky i fundit e talli.
Habibi dëshmoi se nuk kishte si qëllim ta vriste dhe se është penduar për krimin. Shkoza, u raportua i zhdukur nga babai i tij më datë 4 dhjetor, pasi kishte humbur kontaktet me të birin prej datës 2 dhjetor. Ai u gjet i pajetë më datë 5 dhjetor në kanalin e ujërave të zeza, ku u raportua si vdekje aksidentale, por pas hetimeve u konstatua se ai ishte vrarë.
Habibi e mbajti të fshehtë vrasjen për 8 ditë, dhe u arrestua mbrëmjen e djeshme nga Policia. I riu dëshmoi në komisariat se e shtyu Shkozën për shkak se i ngacmonte gruan. /ZËRI