DURRËS- 4 persona janë vënë në pranga në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Manzë. Personat e arrestuar akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi.
Në pranga janë vënë shtetasit: Ergi Kadiu, Taulant dhe Emirjan Beqja dhe Erald Cani, ndërkohë që në kërkim mbetet autorit i vrasjes së Flori Paluçit, Daniel Pepa. Ky i fundit është ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes nga shtetasi G.A, i cili është shpallur gjithashtu në kërkim nga policia e Durrësit.
Daniel Pepa vrau Flori Paluçin, pasi ky i fundit qëlloi për vdekje me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti.
Sipas Policisë, Daniel Pepa ka hyrë fillimisht në lokal i shoqëruar nga shtetasi Erald Cani, kur dhe është konfliktuar me kamarierin, për shkak të kërkesës për kafe. Pas kësaj ai është larguar për disa minuta, për t'u rikthyer sërish me disa prej personave që janë arrestuar për akuzën e moskallëzimit të krimit, dhe përkrahjes së autorit.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, të dy viktimat kanë gjetur vdekjen si pasojë e goditjes me armë zjarri. Si Aranit Kurti dhe Flori Paluçi kanë një plagë në trup, me drejtim hyrje pas shpine, ndërkohë që në vendngjarje janë përdorur dy armë të kalibrave të ndryshëm. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për mediat, se vetëm njëra nga armët është gjetur në vendin e krimit Kjo armë është një pistoletë me mulli e prodhimit amerikan, dhe sipas pamjeve filmike është përdororur nga Flori Paluçi.
"Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 shtetas.
Arrestohen për moskallëzim të krimit, 4 shtetas të përfshirë në konflikt.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin D. P. (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve).
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit F. P., 33 vjeç dhe A. K., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
-E. C., 25 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, si dhe shtetasit T. B., 37 vjeç dhe E. B., 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:
-D. P., 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin D. P..
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme", njoftpn policia e Durrësit./ZËRI