SARANDË-Në dosjen e siguruar nga ZËRI janë zbardhur edhe rrethanat pas sherrit që përfundoi në vrasjen e turistit Luis Miguel Varela Mendes, i cili u gjet i vrarë në shezlongët e plazhit në Ksamil, mëngjesin e 18 gushtit. Dokumenti zbardh edhe lëvizjet e Sokrat Vatës pas krimit, ku fillimisht rezulton se është larguar nga vendi i ngjarjes nga DJ i club-it “Principote”, Armando Zeneli.
DJ ka deklarauar se ka qenë ora 05:00 e mëngjesit pjesa e restorantit kanë ardhur një grup kolegësh pune të panikosur të cilët i kanë thënë merre Sokratin dhe coje në spital se ti ke makinë këtu afër. Vetë Vata i gjakosur kokë e këmbë i ka thënë nxito dhe Zeneli teksa ka dalë të marrë makinën ka parë një grup turistësh të cilët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë.
Sipas Dj, Sokrati gjatë rrugës i tha ik vetëm drejt dhe mbas dy tre minutash kur shkuan në një rrugë me kalldrëmë i ka thënë ndalo këtu dhe ka ikur zbathur. Armandua kishte vënë re gjithashtu se Sokrati kishte hedhur dicka me forcë nga makina.
"I është marrë deklarim në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasit Armando Zeneli, i cili ka deklaruar se punon si DJ në disko “Principote” dhe se rreth orës 05:00 të datës 18.08.2026 ka parë rojet e sigurisë që iknin me vrap në drejtim të hyrjes së klabit. Në vazhdim kur ka qenë te pjesa e restorantit kanë ardhur një grup kolegësh pune të panikosur të cilët i kanë thënë merre Sokratin dhe coje në spital se ti ke makinë këtu afër. Në drejtim të Armandos ka ardhur shtetasi Sokrat Vata i cili ishte i gjakosur kokë e këmbë dhe mbante dorën poshtë bluzës në pjesën e barkut dhe i ka thënë disa herë ku e ke makinën më co në spital, nxito o k...r.
Armandua kishte njoftuar menaxherin në lidhje me situatën dhe më pas ka ikur me vrap për të marrë makinën te parkimi dhe kur ka dalë jashtë ka parë një grup turistësh të cilët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë. Armandua ka marë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit ka dalë Sokrati i cili kishte hipur në pjesën e mbasme të makinës dhe është nisur menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit, ku Sokrati gjatë rrugës i tha ik vetëm drejt dhe mbas dy tre minutash kur shkuan në një rrugë me kalldrëmë Sokrati i ka thënë ndalo këtu dhe ka ikur zbathur. Disa metra pak larg makinës Armandua kishte vënë re që Sokrati kishte hedhur dicka me forcë. Pas këtij momenti ka shkuar në banes i shokuar, ku pasi është qetësuar ka telefonuar policinë dhe ka ofruar ndihmë për kapjen e Sokratit,"-thuhet në dosje.
Në konflikt me turistët u përfshinë 4 kamarierët e Principotes: Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina; 3 truprojat e lokalit Miosid Matushaj, oficer i Policisë në Gjirokastër, Luçiano Seferi, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier, Romeo Shehu polic bashkiak në Gjirokastër; Kristi Koshi, dy shteasit turq: Nuh Mahmutoglu, Ezgi Perlak si dhe autori i vrasjes, Sokrat Vata dhe David Gjana. Ky i funsit së bashku me pronarin e Principotes janë shpallur në kërkim.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në Ksamil, atje ku është vrarë me thikë 21- vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendez. I riu u qëllua me thikë për vdekje nga truproja i Principotes, Sokrat Vata, që pas një sherri banal e la të pajetë mbi shezlonet e plazhit dhe u arratis. Arratia mori fund pas 5 orësh kur u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e një makine, i shoqëruar nga dy shtetasë turq. Po në Sarandë, 3 ditë para vrasjes, u dhunua shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, pasi ndërhyri në një sherr ku po dhunohej një turist i huaj. Truprojat e Orange e dhunuan efektivin./ZËRI