TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i SPAK për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që pastronte paratë e drogës. Përveç pastrimit të parave, pista e dytë e hetimive ka të bëjë me vrasjen e Francesco Diviesti, i ndodhur në Canosa di Puglia më 25 prill 2025, raportojnë mediat fqinje. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar në Itali kreu i grupit Igli Kamberi.
Igli Kamberi krahas trafikut të drogës, akuzohet nga autoritetet se bashkë me 4 persona të tjerë kanë vrarë Francesco Diviesti, parukierin 26-vjeçar nga Barletta. Ai u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vrarë dhe gjysmë i djegur 4 ditë më vonë.
Emri i tij u përpmend më 8 gusht të vitit 2015, ku u arrestua bashkë me një tjetër shtetas shqiptar, Artan Belliu. Ata u akuzuan si pjesë e një grupi që kishin planifikuar të vrisnin kryekëshilltarin e Partisë Demokratike të komunës së Barletës, Pasquale Ventura. Ngjarja tronditëse ndodhi më 20 janar të 2015-ës.
Vrasja e politikanit ishte porositur ngs ish-bashkëshortja e tij, Conceta Dimatteo di Barleta 40 vjeç. Asokohe mediat italiane raportuan se ndaj kryekëshilltarit të grupit të Partisë Demokratike në komunën e Barletës, Pasquale Ventura u qëllua disa herë me pistoletë me qëllim eliminimin e tij. Pas hetimeve rezultoi se gruaja e tij, Concetta Dimatteo di Barletta kishte paguar 20-30 mijë euro ndërmjetësin shqiptar Artan Belliu 53 vjeç për eliminimin e ish-bashkëshortit të saj nga i cili ishte ndarë pak kohë më parë me konflikte të forta ekonomike e sentimentale.
Operacioni, i kryer në Itali dhe Shqipëri, u krye bashkërisht nga Drejtoria Anti-Mafia e Distriktit të Barit dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Tiranës për Anti-Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si pjesë e një ekipi të përbashkët hetimor të formuar me mbështetjen dhe koordinimin e Eurojust. Hetimet u kryen nga Drejtoria Hetimore Anti-Mafia e Barit dhe Skuadra Fluturuese e Shtabit të Policisë së Andrias.
Hetimet janë ende në zhvillim./ZËRI