
TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në Tiranë, ku një 42-vjeçar është qëlluar me armë teksa lëvizte me makinën e tij në zonën e Don Boskos.
Burime i thanë Zërit se personi që ka denoncuar sulmin me armë ka qenë shtetasi Rudolf Zefi, i cili ishte duke lëvizur i vetëm në mjet.
Si pasojë e të shtënave nuk ka persona të lënduar, megjithatë ngjarja mbetet e rëndë, dhe policia po heton nëse kemi të bëjmë me një atentat të dështuar.
‘Një person, të cilin nuk e njihja qëlloi drejt makinës sime’, mësohet të jetë shprehur 42-vjeçari në komisariatin e policisë numër 3 në Tiranë.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dhe autorin e të shtënave me armë, i cili po punohet për t’u identifikuar nga Policia. Zëri ka siguruar dhe foton e autorit të dyshuar, i cili shihet duke lëvizur me pistoletë në dorë.

Ndërkohë babai i 42-vjeçarit ka thënë se familja e tij nuk ka pasur asnjë problem.
“Nuk i kemi rënë askujt në qafë. Nuk e di përse na ka ardhur”, ka thënë ai.
Ndaj makinës është qëlluar me 4 plumba.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 14.12.2023, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 3, shtetasi R. Z., 42 vjeç, i cili ka kallëzuar se në rrugën "Don Bosko", rreth orës 06:45, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtonte. Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka persona të dëmtuar.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
/Zëri